Shoqata atdhetare “Labëria” ka dhuruar tituj nderi për figura të shquara të vendit, artistë dhe politikanë, për rolin e tyre në rritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
Artistja e mirënjohur Tinka Kurti i dorëzoi titullin e nderit, simbolit të këngës Polifonike shqiptare, Irini Qirjako.
“Edhe unë jam një anëtare e një fondacioni, ‘Nermin Vlora Falaski’, i cili është gjithashtu nder i kombit dhe Labërisë. Të uroj shëndet në vijim dhe marrsh sa më shumë tituj”, u shpreh Tinka Kurti, teksa dorëzonte titullin, me motivacion “I jepet Irini Qirjako, mjeshtre e madhe për mbi 30 vjet. Me patos shpirtëror dhe mjeshtëri të lartë artistike ka prezantuar këngën popullore shqiptare, veçanërisht atë Polifonike të trevës së Labërisë”.
Titull nderi i është dhënë arstitit Reshat Arbana, por përveç artistëve është nderuar dhe ish-presidenti Alfred Moisiu.
“Vërtet e ndiej veten të emocionuar, për faktin se këtë vlerësim e bën një shoqatë, siç është “Labëria”, e cila ka një kontribut të shquar në zhvillimin e ndjenjave patriotike, kulturore dhe artistike”, u shpreh ish-presidenti Alfred Moisiu, pas marrjes së titullit.
Kryetari i shoqatës atdhetare “Labëria”, Ago Nezha, vlerësoi rolin e kësaj shoqate, e cila përgjatë 22 vjetëve ka kontribuar në ruajtjen e vlerave dhe zhvillimin e mëtejshëm të traditave, mes të cilave edhe këngës labe.
Top Channel