Kuba: Na pranoni siç jemi

22/12/2013 00:00

Presidenti kubanez Raul Castro ka bërë thirrje për “marrëdhënie të qytetëruara” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se Kuba dhe SHBA-ja duhet të respektojnë qëndrimet e ndryshme të njëra-tjetrës.

Castro theksoi se Amerika duhet të mos kërkojë më ndryshimin e regjimit komunist të Kubës. Sipas tij, kjo do të ndihmonte përmirësimin e marrëdhënieve mes këtyre vendeve.

Në një fjalim publik, Raul Castro bëri të ditur se zyrtarët kubanezë dhe ata amerikanë janë takuar disa herë gjatë këtij viti për të diskutuar çështje si imigrimi dhe rivendosja e shërbimit postar. Kjo gjë, sipas tij, tregon se marrëdhënia Kubë-SHBA mund të jetë e qytetëruar.

Por, paralajmëroi: “Nëse duam të bëjmë hapa përpara në marrëdhëniet dypalëshe, duhet të mësojmë të respektojmë ndryshimet mes nesh dhe t’i pranojmë ato. Përndryshe, nuk bëhet gjë dhe ne jemi gati për 55 vite të tjera si këto të fundit. Nuk i kemi kërkuar kurrë Amerikës të ndryshojë sistemin e saj politik dhe shoqëror e për këtë arsye nuk do të pranojmë kurrë të negociojmë mbi sistemin tonë.”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë marrëdhëniet me Kubën në vitin 1961 pas revolucionit dhe ka vendosur embargo ekonomike ndaj vendit ishullor.

Top Channel