Personazhi i Vitit në fazën e dytë

21/12/2013 00:00

Ka përfunduar faza e parë e përzgjedhjes së Personazhit të Vitit në anketën e përvitshme të organizuar nga Top Channel çdo fundviti.

Emrat më të votuar nga publiku janë:

1. Edi Rama

2. Saimir Tahiri

3. Sokol Olldashi

4. Ilir Meta

5. Elhaida Dani

6. Shpend Ahmeti

7. Adnan Jonuzaj

8. Albin Kurti

9.
Lorik Cana

10.
Sali Berisha

“Faza e parë ka nxjerrë një listë të dominuar nga politika, ku rezulton edhe emri i Sokol Olldashit, si për angazhimin e tij në politikë, ashtu dhe për ndarjen e tij nga jeta, si dhe emrat e tre punonjësve të Top Channel, Sokol Balla, Arbana Osmani dhe Marin Mema, por emrat e tyre janë zëvendësuar nga emrat pasardhës, që fillojnë me Ramën dhe mbaron me Berishën”, tregon webmasteri i Top Channel, Igli Gjelishti.

Në fazën e dytë, që nis nga e shtuna, zgjedhjeve të publikut i shtohen 10 propozimet e Top Channel. Me disa vota më pak, në 10-shen e publikut nuk hyri Lulzim Basha. Ai propozohet nga Top Channel edhe me motivacionin: personazh i rëndësishëm politik, fituesi i garës për kryetar të PD pas dorëheqjes së Sali Berishës, si pasojë e humbjes së zgjedhjeve elektorale të vitit 2013. Për herë të parë, pas 22 vitesh, lideri i ri i PD.

2. Rexhep Qosja. Aktiv në publicistikë, duke mbajtur qëndrime të forta përgjatë një viti të ngarkuar poltik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

3. Pal Ndoka. Njeriu që denoncoi përmes kamerave të fshehta në programin investigativ Fiks Fare skandalin e korrupsionit në drejtësi.

4. Vlorent Xhafaj. Violonçelisti shqiptar që po shkëlqen në orkestrat më të mira botërore dhe organizator i festivalit cilësor Different Trains, i zhvilluar në Tiranë për të dytin vit radhazi.

5. Luljeta Lleshanaku. Autorja më e mirë e panairit të librit.

6. Saimir Pirgu. Tenori që me zërin e tij nderon figurën e artit shqiptar nëpër botë.

7. Ermonela Jaho. Sopranoja shqiptare që performon në skenat më të famshme ndërkombëtare.

8. Protestuesit. Protestat e pranverës kundër importit të plehrave në Shqipëri dhe ato të nëntorit kundër demontimit të armëve kimike në vend ishin një ngjarje e rëndësishme. Meqenëse në fazën e parë të sondazhit, një pjesë e publikut ka votuar individë që u përfshinë në to, ndërsa një pjesë tjetër organizatat, Top Channel vendosi t’i përfshijë të gjithë pjesëmarrësit duke i përcaktuar në një emër të vetëm, pra: Protestuesit.

9. Mimoza Kusari Lila. Personazh i njohur në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Këtë vit ajo theu mitin mashkullor në politikë, duke fituar garën për kryetare bashkie në një qendër të rëndësishme si Gjakova.

10. Alexander Arvizu. Ambasadori amerikan, mik i shqiptarëve, i cili ka qenë aktiv në të gjitha ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur në vend, duke nisur nga ato politike e deri tek denoncimi i hapur ndaj korrupsionit në tërësi.

Tashmë publiku mund të përzgjedhë të preferuarin, duke votuar vetëm një prej 20 alternativave, të cilat gjenden në faqen Top-Channel.tv. Fituesi do të shpallet më 31 dhjetor, në edicionin qëndror të lajmeve.

Top Channel