Kosova dhe Shqipëria nënshkruan kontratën për ndërtimin e “autostradës energjitike”. Kontrata e përbashkët energjitike për ndërtimin e linjës interkonjektive 400 kV ndërmjet dy vendeve do të ofrojë ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme, mundëson që të dy operatorët të punojnë bashkarisht si një sistem shpërndarës dhe do të ofrojë përfitime të ndërsjellta për konsumatorët e të dyja vëndeve.
Kjo marrëveshje u bë nga drejtuesit e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë.
Kjo ngjarje, përveçse mbart anën emocionale të dy vendeve tona, ka për qëllim zhvillimin ekonomik të hapsirës shqiptare, nënvizuan ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli dhe homologu Damian Gjiknuri. Kontrata u cilësua si “historike” dhe u nënshkrua në selinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Në vazhdën e ngjarjeve historike të Prizrenit, sot po skalisim edhe një të re, që ka peshën dhe përmasat e ngjashme me ato të parat. Po nënshkruajmë kontratën për ndërtimin e “autostradës energjitike” Kosovë-Shqipëri“, deklaroi Ismajli.
“Bac u kry! Energjia është siguria e zhvillimit të së ardhmes tonë. Si dy vende të afërta, ne po bashkëpunojmë për zhvillimin e tregjeve tona”, tha nga ana tjetër ministri Gjiknuri.
“Integrimi në tregun rajonal te energjisë është i domosdoshëm. Sot në këtë ditë kemi qenë dëshmitarë në nënshkrimin e kësaj kontrate për ndërtimin e kësaj linje 400 KV të interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo do t’u shërbejë shumë qëllimeve. Do të afrojë Kosovën edhe Shqipërinë më afër Europës dhe do të mbështesë integrimin e dy vendevë në tregun europian të elektricitetit”, u shpreh Peter Blomeyer, ambasador i Gjermanisë.
Projekti me mbi 40 milionë euro është përkrahur nga qeveria federale gjermane. Kontrata e përbashkët energjetike për ndërtimin e linjës interkonjektive në Kosovë do të implementohet nga kompania kroate “Dole Kevod”, ndërsa në Shqipëri nga sllovenia “EnergyInvest”.
Top Channel