FATOS BAXHAKU – Nuk është se ka ndodhur sot, as dje, e as pardje. Që
prej kohëve të motmotit, bota planeti ynë, në dukje aq mrekullisht i
rrumbullakët, i harmonishëm, në dukej globi i gjithkujt, në fakt nuk
është gjë tjetër veçse një lëmsh, caqesh, sinorësh, pragjesh, limitesh,
kufijsh, ëndrrash të pamundura.

Vetë horizonti që shohim të skuqet përditë nga perëndimi apo nga lindja e diellit a nuk është në vetvete një cak? A nuk është ky fundi i shikimit tonë në një kohë të caktuar? Kufijtë janë shtetërorë (shtetet), zyrtarë (vendi i punës), lokalë (bashkitë e komunat), gjeografikë (luginat, malet, detet, lumenjtë), moralë (kur i kalon ato të kallëzojnë me gisht), personal (që burojnë nga koha dhe familja së cilës i përket) dhe shoqërorë (vetë ligji është një cak që i vendosim njëri-tjetrit).

Në lidhje me kufijtë ne si popull kemi boll se ç’t’u rrëfejmë të tjerëve. Më së pari, sepse jemi një popull me kufij të imponuar nga një puzzle i madh gjeopolitik e mizor i 1913 dhe, së dyti, sepse kloni ynë i famshëm me tela me gjemba i 50 vjetëve komunizëm ka qenë një nga kufijtë më pak të kapërcyeshëm të krejt historisë njerëzore.

Kufijtë, u ngjajnë mureve. Ato sajohen për të mbajtur të tutë brenda, larg të tjerëve, larg atyre që janë ndryshe. Kufijtë janë një vathë e madhe ku bariu ndihet më i sigurt për gjënë e gjallë, që e konsideron si të tijën. Kufijtë rreken të konservojnë një situatë me të cilën janë mësuar njësoj si bariu edhe vatha. Idetë e reja, ndryshimet, teknologjitë, jeta më e begatë, janë armiq të kufijve-mure. Po aq e vjetër saç është ideja e mureve dhe e kufijve, po aq e vjetër është edhe etja e njerëzve, e forcave progresive, e të rinjve, për të shembur pengesat, caqet, sinoret, muranat, simbolet, piramidat, që pengojnë njerëzinë të bëjë hapa përpara. Në këtë rast entuziazmi i fitores është aq i madh saqë duket sikur mjafton të shembësh një kufi, mjafton të shkulësh me rrënjë një tel me gjemba, e aq më shumë të rrëzosh statujën e një lideri kufitar, dhe me këtë është arritur ëndrra e madhe e lirisë. Zakonisht, kjo ndodh te popuj, që historia u ka punuar një rreng të mbrapshtë, nuk i ka mëkuar me lugën e bekuar të durimit dhe të sakrificës demokratike. Mes tyre, pa dyshim, një vend të dukshëm zëmë edhe ne.

Pak ditë më parë, BE e shtyu deri në qershor vendimin për pranimin e Shqipërisë si vend kandidat potencial për anëtarësim në të. Sigurisht që lajmi i rëndësishëm shkaktoi një furtunë komentesh. Ato varionin nga akuzat kundër qeverisë aktuale të drejtuar nga Edi Rama e deri tek ideja absurde – por edhe e rrezikshme njëherazi – sipas së cilës BE-nuk qenka e bindur për ndryshimet në Shqipëri, sa kohë që ish-lideri i opozitës, Sali Berisha vetë, nuk na qenka arrestuar ende. Edhe komentet e vëzhguesve politikë janë përqendruar pak a shumë në këtë pikë: Rama dhe të tijtë duhet të vazhdojnë edhe më edhe më me ngulm betejën kundër korrupsionit. Të gjitha pikëtakimet janë fokusuar rreth politikës dhe qeverisë. Mbase me të drejtë, sepse hapi i parë i çdo zhvillimi nis me ligjet dhe me zbatimet e tyre. Por na duket se është anashkaluar një gjë fort e rëndësishme. Muret, qoftë edhe ato prej ajri, sikurse është ky që na ndan deri në qershor me BE-në (dhe assesi me Europën, e cila është një koncept krejt tjetër) shemben nga njerëzit dhe jo nga qeveritë apo politika. Këto të fundit vetëm sa mund të dërgojnë valën njerëzore drejt telit me gjemba, murit, fasadës, monumentit, apo kushedi se çfarë tjetër. Ata që vendosin në fund të fundit janë njerëzit.

Autori i këtyre radhëve është i bindur se në lidhje me “murin” e fundit ka një konfuzion të madh në opinionin tonë publik. Është tjetër gjë përkatësia jonë europiane, të cilën as që ka nevojë t’ia kërkojmë kujt, e as që kemi nevojë të na e certifikojë asnjë burokrat, përderisa atë e kemi treguar jetë e mot me vepra, me Skënderbeun, Barletin, Bogdanin, Kadarenë, Kodrën, Migjenin, Qosen, Rugovën, me të rinjtë e sotëm të mrekullueshëm. Dhe është absolutisht krejt gjë tjetër anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i BE-së. Thuhet, me të drejtë se shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbi 83 për qind, janë dakord për anëtarësimin tonë në BE. Gjë e mirë, fort. Askush nuk e ka vënë ndonjëherë në dyshim këtë. Puna është se a e dimë vallë ne shqiptarët se çfarë do të thotë realisht kjo? A jemi ne të bindur se jemi tashmë europianë shqiptarë dhe jo vetëm shqiptarë europianë? Apo nuk e kuptojmë ende dallimin mes të dyjave. I pari është një qenie e përgjegjshme dhe me mend në kokë, i cili zakonisht nuk i hedh plehrat nga ballkoni i shtëpisë së tij drejt e mbi kryet e kalimtarëve, i dyti është një që bën gjasme, që shkon sipas mendimit që mjafton një makinë e shtrenjtë dhe një celular i fundit dhe ja ku u bëre njësoj me një danez, madje ku e ku edhe më lart! A e dimë dhe a na e ka thënë kush se anëtarësimi në BE sjell një tog me të mira, por në radhë të parë sjell edhe një tog me detyrime, më e para nga të cilat është ndryshimi i vetvetes, duke nisur që nga kryet tona? Dhe më në fund, a ishte i bindur secili prej nesh se ne vërtet e meritonim statusin për të cilin u rrekëm aq shumë? A nuk jemi ne vetë, apo shumica jonë, që ende BE-në e sheh si një lopë që do të nisim ta mjelim, sapo ajo të na pranojë në gjirin e saj bojë rozë shumëthithkësh?

Anëtarësimi në BE ka lindur qysh në krye të politikës sonë pluraliste më shumë si një sfidë personale e x apo Y politikani. “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, që u brohorit dhe u ëndërrua aq shumë nga populli ishte më shumë një sinonim i lirisë në të gjitha komponentët e saj, i lëvizjes së lirë, i shoqërisë së konsumit, i jetës së mbarë, me një fjalë i të gjitha atyre që mezi shihnim matanë telit me gjemba. I gjithë rrugëtimi ynë në BE, apo qoftë edhe në NATO, apo në ndonjë organizëm tjetër u mbështoll vetëm në arritjet personale të liderëve, të cilët në fushatën më të parë elektorale na brohorisnin: Unë ju çova këtu, unë ju nisa për atje, unë do ju fus atje. Në rast dështimi krahu tjetër brohoriste sakaq: Ai nuk ju çoi, ai nuk ju futi, ai nuk ju nisi. Vetëm “unë” dhe “ai” dhe kjo puna e shembjes së murit tonë të fundit, i cili duket prej ajri tani që të paktën lëvizim disi më lirshëm nëpër Europë, u bë vetëm punë e liderëve dhe aspak e miletit, të cilit i takonte në radhë të parë të ndryshonte, të modifikohej, të vriste mendjen për sfidat që e prisnin. Tani, më së pari politikanët rrinë e vrasin mendjen: Po si është e mundur xhanëm?! Hartuam një vargan me ligje, i bëmë të gjitha “detyrat e shtëpisë”, si dreqin ndodhi? Me siguri e ka fajin Rama, thotë opozita. Me siguri e kanë fajin lobime të caktuara, mendon qeveria. Ndërsa ai, muri prej ajri, qëndron mes nesh dhe BE-së më i fortë se blloqet e çimentos dhe se të gjithë telat me gjemba të kohës së Enverit të marra së bashku. Është mur i fortë, sepse mezi shihet, vetëm ndihet kur përplasesh me hundë me të, njësoj si një xham i porsalarë mirë. Sigurisht që do t’i vijë koha të bjerë edhe këtij, si të gjithë caqet që njerëzia i vendos shumë herë vetes, porse që kjo të ndodhë zotërinj byrazerë bashkëpatriotë le t’i hedhim ca më shumë sytë nga vetja, secili prej nesh, dhe të pyesim e të stërpyesim, jo vetëm për këtë hap, por për çdo cak tjetër që duhet të kapërcejmë: A e kam merituar vërtet sadopak? Nëse kjo ndodh atëherë muri do të nisë të shkërmoqet vetë, ani pse është prej ajri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA