Kosova padit “Belle Air”

19/12/2013 00:00

Autoritet kosovare kanë paditur kompaninë ajrore “Belle Air”. Sipas njoftimeve që vijnë nga Ministria e Ifrastrukturës, kompania ajrore do të përballet edhe me një proces gjyqësor me ndjekje penale nga shteti i Kosovës.

Kallëziimi penal nga Ministria e Infrastrukturës është në emër të drejtuesve të kësaj kompanie, përkatësisht ndaj Ilir Xhelos, menaxher i përgjithshëm në këtë kompani dhe Elio Sallabandës.

“Sepse dyshohet se të përmendurit nuk i kanë ofruar apo kanë dështuar t’i ofrojnë në mënyrë të plotë dëshmitë e kërkuara dhe të paraqesin informacionet e kërkuara në lidhje me ofrimin e listës së udhëtarëve më 10 dhe 12 gusht 2013, kur në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” konkludohet se së paku 195 udhëtarë kanë qenë të prekur nga parregullësitë gjatë udhëtimit me “Belle Air” dhe problemet e vazhdueshme të saj deri më datën 5 shtator”, thuhet në kallëzimin penal.

Ky lajm është konfirmuar për TCH edhe nga zyrtarët e ministrisë. Padisë i kanë bashkangjitur edhe dëshmi nga komunikimi i kompanisë me përgjegjësit kosovarë të Aviacionit Civil, ku dëshmohet mosparaqitja e saktë e listave të klientëve të kompanisë, që më vonë disa prej tyre përfunduan të mashtruar dhe të dëmtuar nga kompania, që aktualisht është jashtë funksionit komercial.

Top Channel