Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë

19/12/2013 00:00

Shkëmbimi i përvojave dhe përmirësimi i punës së dy komisioneve zgjedhore, të Kosovës dhe Shqipërisë ishte qëllimi i takimit të dy kryetareve të KQZ-ve në Prishtinë.

Në këtë drejtim Lefterie Lleshi dhe Valdete Daka paralajmëruan edhe nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes dy insitucioneve.

Kryetarja e KQZ-së në Shqipëri lavdëroi punën e KQZ-së në Kosovë për organizimin e zgjedhjeve të fundit, sidomos për faktin që arriti t’u mundësonte votimin edhe personave të verbër, ndërkohë që një praktikë e tillë nuk ishte ralizuar edhe në Shqipëri.

“Një projekt që ka filluar në Shqipëri e që besojmë se do të realizohet është ai i ngritjes së një shkolle trajnimi për komisionerët dhe edukimi për zgjedhësit në tërësi. Transparenca dhe edukimi janë shtyllat kryesore të një procesi zgjedhor dhe ne do të bëjmë të mundur që proceset e ardhshme të jenë më të mira se këto që kemi bërë deri tani”, deklaroi Lleshi.

“Kemi diskutuar për vështirësitë dhe suksesin e këtyre zgjedhjeve. Ky shkëmbim eksperiencash do të kontribuojë dhe zgjedhjet e ardhshme me siguri do të jenë më të organizuara, gjë që do të ndikojë edhe në integrimin në Bashkimin Evropian”, tha nga ana tjetër Daka.

Ndër të tjera u paralajmërua edhe bashkëpunimi në trajnimin e stafit, kryesisht i komisionerëve zgjedhorë, si nga pala kosovare ashtu edhe nga ajo shqiptare.

Top Channel