Skandali i mashtrimit me TVSH-në

18/12/2013 00:00

Skandali i mashtrimit me faturat e TVSH-së merr përmasa gjigante. Tatimet njoftuan zbulimin e një megaskeme mashtrimi në fushën e tregtisë së skrapit, që i ka marrë buxhetit 26 milionë dollarë përmes faturave fiktive të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Përmes një njoftimi zyrtar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin, duke miratuar vendimet e arrestit me burg në gjykatë për drejtues të disa subjekteve të përfshira në këtë skemë.

Nga hetimet ka rezultuar se këto subjekte tregtare kanë regjistruar në QKR dhe në Administratën Tatimore, në mënyrë fiktive persona të ndryshëm pa asnjë lloj aktiviteti tregtar me qëllim tërheqjen e blloqeve me faturat e TVSH-së , duke kryer më pas blerje fiktive të skrapit dhe duke shmangur pagimin e TVSH në vlerën e sipërpërmendur.

Sipas tatimeve, në skemë janë përfshirë një numër i madh subjektesh dhe hetimet kanë zbuluar dhe dokumentuar veprimtarinë kriminale që të pandehurit kryenin duke përfituar nga shitjet fiktive dhe duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së për çdo blerje.

Hetimi është filluar nga strukturat e inteligjencës në Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe më pas veprimet proceduriale dhe hetimore kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie, që sipas tatimeve shtrihet në Qarqet Tiranë, Elbasan, Lezhë,etj.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se nga Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tiranë deri në këtë fazë të hetimit është marrë masa e sigurisë arrest në burg në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë për shtetasit Avni Hoxha, Gjergji Lami, Ilir Allmeta, Josif Kadria, Juxhin Zeqaj, Përparim Zeqaj, Ramiz Veizaj, Kadri Rama dhe Robert Hoxha, ndërsa për shtetasen Hava Muçollari gjykata ka dhënë vendim me arrest shtëpie.

Tatimet bëjnë të ditur se paralelisht vazhdon puna edhe për ekzekutimin e urdhërave të tjerë të arrestit për këtë çështje.

Top Channel