Ndahet nga jeta Fatos Sela

18/12/2013 00:00

Është ndarë nga jeta, në moshën 65-vjeçare, aktori Fatos Sela, pasditen e së mërkurës, pas një sëmundjeje të rëndë.

Pas kryerjes së studimeve në Akademinë e Arteve, Fatos Sela nisi karrierën e tij artistike, fillimisht si regjisor në RTVSH.

Më pas vazhdoi punën si aktor dhe regjisor pranë Teatrit Bylis, në Fier. Ndër shfaqjet ku ai interpretoi në këtë teatër, gjatë një periudhe 20-vjeçare, renditen “Dy krisma në Paris”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Baladë për një grua”, “Dorina”.

Në vitin 1995 u bë pjesë e Teatrit Kombëtar, ku vazhdoi punën deri në ditët e sotme, me role të rëndësishme në drama, si “Armiku i Popullit”, “Xhaxha Vanja”, “Portreti i Dorian Grey-t”, “Pamje nga Ura”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, “Shtrigat e Salemit”, “Henri VI”, rolin e salierit tek “Amadeus”, apo atë të Ismail Qemalit, i cili ishte i fundit në TK, në shfaqjen “Ëndrra e Ismail Qemalit”.

Personazhin e themeluesit të shtetit shqiptar, ai e interpretoi dhe në dokumentarin e realizuar nga Top Channel, “Vlorajt e flamurit”.

Përpos roleve në teatër, në kinematografi ka interpretuar në filma, mes të tjerësh, si “Guna mbi tela”, “Gracka”, “Nëntori i dytë” dhe “Tirana, viti zero”.

Për karrierën e pasur artistike dhe interpretimet e tij cilësore, Fatos Sela është nderuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Top Channel