Kundërshtari i ri i Edi Ramës

18/12/2013 00:00

Artan Mullaj – Edhe pse Basha i ngjiti shkallët e karrierës me biberon në gojë, kjo nuk është arsye për ta paragjykuar.
Nuk është i vetmi. Çdo rrugë bëhet shkollë, nëse ecet në drejtimin e
duhur. Politika është një hapësirë e pisët dhe liberale, në të cilën
pësimet bëhen mësime sakaq dhe gabimet nuk falen.

 Harrohen! Por lidhur me Bashën, përkundrazi, ka diçka për t’u analizuar dhe kjo është statura e tij e përfaqësimit. A mundet? A është kryetari i ri i PD-së në gjendje të përfaqësojë? A ishte zgjedhja e tij në krye të PD gjëja e duhur në kohën e duhur? Pyetje të vështira. Edhe profeti Izakeil do ngrinte supet dhe do mblidhte buzët njëherësh. Basha është një lider që nuk e ka yllin e liderit në kokë, kjo dihet, por vështirë të profetosh të ardhmen e tij si të tillë, në kushtet kur gjendet në krye të një organizate komplekse, siç është Partia Demokratike.

Çështja është: A do mund ta sjellë ndonjëherë në pushtet ketë organizatë të vështirë kreu i saj?

Organizatë të vështirë Partinë Demokratike e bën miksimi dhe strategjia e saj e funksionimit. Në themel të kësaj strategjie qëndron përfaqësimi. Partia Demokratike mund të supozohet si një kolektiv “liderik”, sepse kish dhe ka një raport të veçantë me Berishën, udhëheqësin e saj të përhershëm. Muhamed edhe Krisht njëherësh i PD-së, ai ia doli për shumë vite rresht të përfaqësojë shkulmet e brendshme të turmës vullnetare. Ishte dhe është një produkt emocional dhe psikologjik i kësaj turme. Ishte fryma e saj, dhe turma ishte frymëzimi i tij. Një interferim i shkëlqyer, që shpjegon edhe arsyen pse masat u binden liderëve të tyre. PD dhe Berisha, më shumë se të betonuar, kanë mes tyre një lidhje magjike. Të tillë e bën pikërisht përfaqësimi i ndërsjellë. Të kujton poezinë e Majakovskit për Leninin, që nënkuptonte Partinë. Mozaiku i anëtarësisë së PD-së, ishte si një pasqyrë e karakterit të Berishës. Sa më shumë ngjyra të ndryshme patën njerëzit e bashkuar të PD-së, me njerëz të të gjitha kategorive, aq më kompleks shfaqej personaliteti i tij në përshtatjen shpirtërore ndaj këtij miksimi të përbindshëm, që s’mund të udhëhiqej veç nga një përbindësh. Në Partinë Demokratike kanë dominuar sa bastardët, aq edhe të ndershmit, sa ballistët, aq komunistët, sa të urtët, aq kriminelët, sa veriorët, aq me pak jugorët dhe këtë dominim e kish në kontroll një energji e shqetësuar njerëzore, që quhej Sali Berishë. Në PD, fryma përplasej me interesat, po aq shpesh sa në trurin e liderit përplaseshin ambiciet për pushtet me idetë. Sa më shumë kontradikta prodhonte vullneti i kësaj mase për të qenë bashkë, aq më shumë dilemat dhe lajthitjet dominonin trurin e tij për të qeverisur i vetëm.

Duke qenë se tani nuk është më kryetari i PD-së, por është realisht lideri i saj shpirtëror, Berisha ka lënë pas një boshllëk të dhimbshëm në PD. Nuk ka gjë më të trishtueshme se dhimbja kolektive e mungesës. Kjo u duk edhe në festën përvjetore të demokratëve. U përpoq vetë ai, me dhembshuri prej gjyshi, dhe u përpoqën shumë të tjerë ta mbushin këtë boshllëk sa një ortek me një objekt njerëzor, tjetër, të vogël, por të veshur me shumë kritere. Ky objekt është Lulzim Basha. Vështirë të gjesh një militant të PD-së që mos ndiejë një lloj krenarie të pafajshme për butësinë e qeshur të kryetarit të ri të PD-së. I qetë dhe i heshtur si plani i hershëm për të projektuar karrierën e tij; i qeshur si njerëzit shpirtthjeshtë, që i lumturon asgjëja, fëminor dhe femëror njëherësh, si aktorët që zgjidhen të luajnë role “gay” në filmat amerikanë. Por as këto, as gjithë çfarë ka dhe nuk ka kryetari i ri i PD-së, nuk mund të krijojnë një ortek. Rrjedhimisht, Basha e ka më të lehtë të zbulojë ilaçin e SIDA-s, sesa të mbushë boshllëkun që la pas Saliu. Edhe sikur të kish dalë drejt e nga hundët e tij, Basha do ta kishte të humbur këtë betejë. Edhe sikur të kishte egërsinë e tij qeverisëse, dhunën psikologjike (që prodhonte autoriteti komunist i diktatorit Hoxha projektuar me fanatizëm në shpirtin e Berishës), edhe sikur të ish i aftë të trazonte njëlloj ndërgjegjen e lodhur të shqiptarëve me ngjarje makabre, siç bëri Berisha jo pak herë, prapë Saliu do t’i mungonte PD-së. Boshllëku i mungesës së tij do ta gryejë PD-në për shumë kohë. Ndoshta përgjithmonë. Pse? Sepse asgjë nuk mund të zëvendësojë nostalgjinë e diktatit. Asgjë nuk mund të shkrijë kujtimet dhe iluzionet të një epoke sundimi, ku dominuan antivlerat dhe padrejtësitë. Saliun, më shumë se bëmat, lider e bëri mirënjohja dhe nostalgjia që prodhoi ai në mendjet e ndjekësve dhe mbështetësve të tij gjatë tranzicionit. Lider e bënë prapësitë dhe padrejtësitë e bëra në kurriz të disave në favor të të tjerëve. A mundet Luli të provokojë të tillë vëmendje dhe të tillë ndjeshmëri në një turmë të ashpër, që dashuri të parë, të vetme, të madhe ka vetëm një, Sali Berishën?

Jo! Është e pamundur të delegosh dashurinë e një turme nga një lider i fortë, përbindësh, në një lider qumështor.

Pasojat e kësaj pamundësie po japin krisjet e para. Klanet në PD po ushqejnë vetëshkatërrimin e tyre. Basha e synon, por bashkimi dhe uniteti i PD-së është një sfidë e vështirë. PD-ja ka filluar të çahet si kokrra e shegës së pjekur në pemë. Vonë, por shumë vonë, kundërshtari i ri i Edi Ramës, ka filluar të kuptojë se fuqia që dominon botën tonë është jo perceptimi, por vështirësia kozmike për ta ndryshuar atë në mendjet e njerëzve. Idetë vijnë më pas. Idetë janë pasoja të perceptimit, në përmbushjen e strategjive. Perceptimi njerëzor, në njëfarë mënyre, është vullneti i fatit. Dhe e ardhmja e liderëve, me ose pa yje në kokë, është paracaktuar nga fati. Fati është mbret mes njerëzve. Sado ide të prodhojë koka e re dhe e qeshur e kryetarit të Partisë Demokratike, perceptimi kolektiv i demokratëve shkon kundër këtyre ideve. Dhe ky perceptim ka pak gjasa të ndryshohet. Çfarëdo të mendojë, sado të përpiqet! Nuk është faji i tij që nuk e mbush dot boshllëkun e zi të paraardhësit të tij, dhe as faji i paraardhësit. Të zezë, por i pari bëri epokë. I dyti s’mund të bëjë, nëse do bëjë, veç histori.

Basha do të hyjë në histori vetëm duke e rilindur PD-në.

Por Basha është shumë i vogël, i butë dhe shumë ëndërrimtar përpara krisjeve të mëdha të PD-së. A do mund ta sjellë ndonjëherë PD-në në pushtet. Kjo është një dilemë. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë në PD, aq më mirë. Nëse e kupton vetë ai, aq më shkëlqyeshëm. Duke qenë se klanet partiake i kanë marrë frymën kësaj partie, spontaniteti mund të jetë i dobishëm. Kupola e PD-së, shumica e infektuar dhe e përfolur nga aferat e qeverisjes së shkuar, nuk mund të frymëzojë prurje të reja të shëndetshme në PD, çka e ka sjellë këtë parti në një krizë të plotë identiteti. Ka një zgjidhje: Prurjet e reja. Basha do të bëjë vërtet histori nëse i hap dyert e kështjellës së elitës demokratike, plot me mëkatarë. Gjaku i ri në PD dhe demokracia e shëndetshme brenda saj, duke vërshuar, do sjellin zhvillime të reja të mira në PD. PD është një forcë politike që realisht nuk frymëzon. Rrjedhimisht ajo nuk është e tillë. Është një organizatë që drejtohet nga një grupim i makthtë që duhet të ikë nga skena, të dalë nga kështjella. Të fshihet nga kujtesa, si fshihen pisllëqet nga xhami, me sfungjer.

Një Parti Demokratike e rilindur, me njerëz të rinj e të pastër, të shkolluar dhe vizionarë, në skalionin e parë të luftës opozitare, do të rilindnin edhe shpresën e kësaj partie për të ardhur ndoshta vonë në pushtet.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA