Endriol Vasili, artisti i portreteve të gjalla

17/12/2013 00:00

Pikturat e tij janë të papërsëritshme, në teknikë dhe në realizim. Janë aq të përsosura saqë gati të shfaqen si të gjalla nga sipërfaqja e lëmuar. Këto janë veprat e Endriol Vasilit, një artist i ri shumë i talentuar në fushën e pikturës, por që arti nuk e ka çuar ende jetën e tij në nivelin e punës që bën.

Ai pikturon më së shumti në rrugë, në pamundësi për të pasur një studio e për më tepër rruga është ekspozita e punëve të tij. Është pikërisht aty vendi ku të gjithë kalimtarët pa përjashtim tundohen për të kthyer kokën andej nga kavaletet ku Endri punon në heshtje portretin e radhës. Nga kalimtarë të rastit e deri tek artistë të mëdhenj, të gjithë janë admirues të punës së tij. Luftar Paja është një prej tyre.

“Rastësia është mbreti i Botës. Ashtu e njoha këtë djalosh që pikturonte në rrugë, më tërhoqi vëmendjen, më tregoi historinë e tij dhe më bëri përshtypje pasi është shumë i talentuar”, thotë aktori i famshëm.

Portretet gati të gjalla janë magneti i parë që thith vështrimin e kalimtarëve. Por, çfarë të bën të ndalesh e të përfshihesh në këtë studio arti në natyrë është shpirti i përulur i Endrit ndaj veprave të tij. Gazmend Paja, aktori i njohur i spektaklit “Portokalli”, tregon: “Endrin e kam njohur në rrugë. Nuk tingëllon mirë, por atje e kam njohur. Është artist me plot kuptmin e fjalës. Është shumë original, është i durueshëm, është personi i duhur që mund ta takosh e të marrësh energji.”

Artemis Hajdini, fotograf në profesion, rrëfen se edhe ai e ka njohur piktorin e pedonales së Tiranës duke kaluar krejt rastësisht andej. Prej atij momenti kur u dashurua me portretet e tij, fotografi u bë një prej porositësve të rregullt të punëve të Endrit dhe tashmë dëshira për të bukurën i ka bërë edhe miq: “Deri tani nuk kam parë asnjë në Shqipëri ta bëjë këtë gjë. Është shumë unike. Kjo ka qenë ajo që më ka bërë përshtypje. Kaloja dhe e shihja, çdo detaj ishte shumë i realizuar, deri tek qimja e flokut.”

Endri ka gjithmonë një punë për të bërë. Edhe kur mungojnë porositë, ai nis e ravijëzon portrete personazhesh të njohur. Kështu, ai ka afruar shumë prej tyre e shumë të tjerë nuk e dinë që pasurojnë galerinë e veprave të tij. Gazi sapo mësoi që mes portreteve të piktorit ekziston edhe një punë për të: “Kam bërë një portret me babain.”

Kështu pasuron rrethin e miqve të tij, të cilët janë të shumtë dhe shtohen për çdo ditë që piktori zbret në pedonale. Ditët më të trishta janë ato me mot të keq, ku Endrit i duhet të mbyllet në dhomën e apartamentit të tij, pa sytë e admiruesve përballë portretit të radhës.

Top Channel