Shpëtim LUKU – Kompanitë shqiptare “ngrijnë” tregun e sigurimeve. Nuk është një metaforë, por një fakt konkret që konstatohet realisht dhe lehtësisht në treg. Prej pak më shumë se një muaji, në të gjitha zyrat e çdo kompanie sigurimi në Shqipëri aplikohet një prim dysheme në nivelin e 14 mijë lekëve për mjetet motorike. Kështu, lojës së pandershme që kompanitë bënin në kurriz të njëra-tjetrës në veçanti, e ndaj tregut në përgjithësi, duke shitur polica sigurimi me një çmim gjithnjë e më të ulët, i ka ardhur fundi. Është një lëvizje në dobi të rregullimit të tregut e përmirësimit të shërbimit të qytetarëve, një lëvizje që ndoshta duhej bërë më parë. Dhe nuk është një problem që nuk njihej apo për të cilin nuk janë bërë përpjekjet përkatëse.
Të gjithë drejtuesit e kompanive të sigurimit janë ankuar shpesh, veç e veç për lojë të pandershme në tregun e sigurimeve. Edhe më parë janë vendosur prime unike, por që nuk janë respektuar. Të përqendruara kryesisht në garën e Sigurimit të Detyrueshëm, të përfshirë nga ethet për të siguruar sa më shumë mjete motorike, disa kompani kanë aplikuar çmime, të cilat herë-herë kanë përfaqësuar edhe gjysmën e çmimit të detyrueshëm për t’u respektuar. Kjo ka qenë një mënyrë konkurrimi, kryesisht e aplikuar nga kompanitë që sapo hynin në treg, ndërkohë që reaksioni që stimulohet kishte karakter zinxhir. Për t’u vetëmbrojtur, për të mos lëshuar pozicion në treg, kompanitë e “vjetra” në treg ishin të detyruara të kundërpërgjigjeshin me të njëjtën mënyrë. Paradoksi kishte arritur deri në atë pikë, kur operatorët në treg paguanin “padrejtësisht” sasi kolosale TVSH-je, vetëm e vetëm që të mos ekspozoheshin si shkaktarë të konkurrencës së pandershme. Mirëpo pikëpyetja e madhe për specialistët e ekonomisë dhe të tregjeve financiare ka qenë se si i dilnin llogaritë një kompanie sigurimi që arrinte të vilte të ardhura sa gjysma e atyre që normalisht duhet të merrte?! Përgjigjet ishin hipotetike. Në kushte të tilla mbetej të cenoheshin kapitali fillestar dhe rezerva e sigurisë për vazhdim aktiviteti, si dhe mosqenia korrekt në pagesat e dëmeve. Tani duket se në një farë mënyre janë krijuar edhe kushtet bazë që kompanitë e sigurimit të transformohen nga subjekte që “tregtojnë letra me vlerë vetëm për policët” në kompani të mirëfillta sigurimi, që nuk iu shmangen përgjegjësive të veta. Por duke ditur historikun e tregut të sigurimeve në Shqipëri, ku për të siguruar qëndrueshmëri primesh e të ardhurash janë eksperimentuar forma nga më të ndryshmet, por pa rezultate afatgjata, lind pyetja: Cila është zgjidhja magjike që bindi siguruesit shqiptarë? Dhe pse zgjidhja aktuale nuk ka shanse të përfundojë si zgjidhjet e tjera në të kaluarën kur, sapo bëhej një marrëveshje, kompanitë fillonin hiletë të nesërmen karshi njëra-tjetrës? Të gjitha kompanitë janë pajtuar me faktin e pasjes së asaj pjese të tregut që kanë pasur në periudhën paraardhëse. Arsyetimi, sipas të cilit “më mirë x përqindje tregu, por me të ardhura reale sesa një pjesë më e madhe tregu, por me të ardhura më të ulëta, duket se ka qenë “regjisori” më i mirë i unifikimit të veprimit. Ndaj, prej pak më shumë se një muaji, nuk kemi më asnjë përpjekje të kompanive për të ndryshuar hierarkinë në treg, pasi ajo tashmë është e “ngrirë”. Problemi që krijohet në këtë rast lidhet me klientët e sigurimit motorik. Në kushtet kur primi i sigurimit të një police sigurimi motorik është e njëjtë kudo, si konkretizohet konkurrenca në këtë treg? Si duhet të orientohet konsumatori? Pse duhet të shkojë te një kompani e caktuar dhe jo te tjetra?
Avni Ponari, president i Byrosë së Sigurimeve dhe drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Sigal Unica Group”, thotë se konsumatorët duhet të orientohen nga niveli i shërbimit të një kompanie të caktuar e konkretisht nga sasia e dëmeve dhe koha e pagimit të tyre. Një arsyetim i drejtë, por jo plotësisht i mjaftueshëm, sepse kur bëhet fjalë për sigurimin e mjeteve motorike, ku një policë e tillë sigurimi nuk është blerje shërbimi për vete, por përgjegjësi ndaj të tretëve, duket paksa e çuditshme të presupozosh impenjim të konsumatorit për zgjedhje të një kompanie cilësore. Sepse asnjë blerës i këtij shërbimi nuk mendon aq gjatë e aq hollë për cilësinë e shërbimit që duhet të përfitojë i aksidentuari potencial i siguruesit. Ndaj, fiksimi i primit të policës së sigurimit në nivelin dysheme prej 14 mijë lekësh, vlerë kjo që ka dalë nga kalkulimet përkatëse në bazë të historisë së këtij tregu, është hapi i parë, por ama pa përfitime konkrete nga ana e qytetarëve konsumatorë. Sado përbetime të bëjnë kompanitë e sigurimit për rritje të nivelit të pagesave, përsëri kjo është tërësisht çështje e vullnetit të tyre. Që të reformohet siç duhet, që tregu të funksionojë siç duhet, që në analizë të fundit, konsumatorët të kenë lidhje reale me këtë shërbim, duhet që hapa të tjerë reforme të ndërmerren. Me kohë duhej të ishte adaptuar e njëjta logjikë dhe mënyrë veprimi sikurse në vendet e tjera, që sigurimi të bëhej sipas metodës Bonus-Malus. Çka do të thotë që polica e sigurimit të mjeteve motorike duhet të diferencohet sipas riskut. Një makinë e vjetër, e drejtuar nga një drejtues i avancuar në moshë apo një drejtues me patentë të sapomarrë, duhet të paguajnë më shumë. Dhe e kundërta, nëse ke historik të mirë si drejtues, pa aksidente të shkaktuara, pa dëme të shkaktuara, pa penalitete të marra, duhet paguar më pak.
Nevojën dhe emergjencën e ndërmarrjes së hapave të tillë e pranon edhe z. Ponari. Por deri sa të ndodhë kjo, tregu i sigurimeve do të ketë thjesht fizionomi jo shumë të pëlqyeshme për konsumatorët.
Top Channel