Lituania negocion për Shqipërinë

14/12/2013 00:00

Në ditët e fundit të mandatit të saj, Presidenca Lituaneze e Bashkimit Europian po negocion me vendet anëtare qëndrimin e Këshillit për Shqipërinë.

Një zyrtar i lartë i BE-së rrëfeu për Top Channel se “Presidenca po punon ngushtë me Komisionin dhe vendet hezituese mbi këtë platformë, pra dhënien e statusit kandidat siç u rekomandua në tetor”.  

Ai shpjegoi se shtetet hezituese kanë një pozicion të rëndësishëm në vendimmarrjen e BE-së dhe përdorin argumente të mira, që lidhen kryesisht me kohën e pamjaftueshme për të vërejtur rezultatet e kërkuara nga Shqipëria. Por, “ka ende kohë, deri pasditen e së martës, e besoj se mund të arrijmë në konsensus,” u shpreh optimist përfaqësuesi i Presidencës.

Pavarësisht deklaratës publike të Ministrit Timmermans në parlamentin holandez për shtyrje të vendimit për në dhjetor 2014, zyrtari i lartë i BE-së tregoi se “aktualisht është më e ulët mundësia për të shtyrë dhënien e statusit kandidat, meqënëse diskutimet vijojnë ende për marrjen e vendimit mbi Shqipërinë, këtë dhjetor.

Edhe sikur negociatat të dështojnë kësaj radhe, ky vendim, me shumë gjasë, do të merret në Këshillin e Pranverës”, sipas tij, megjithëse kalendari i punimeve parashikon diskutime mbi zgjerimin veç në samitet dimërore.

“Deri në Mars, vendet hezituese anëtare do të kishin mjaftueshëm kohë për të verifikuar rezultatet e raportuara nga Komisioni, e ky  argument haset më shpesh se ai për marrjen e vendimit dhjetorin e ardhshëm”, vlerësoi zyrtari europian.

Përgatiti Arta Tozaj 

Top Channel