Ndarja e barres së re fiskale

13/12/2013 00:00

Paketa e re fiskale që hyn në fuqi nga një janari i vitit të ardhshëm e
rrit barrën e taksave në ekonomi me 180 milionë dollarë më shumë.

Por si do të shpërndahet ajo? Sipas projektligjeve të përgatitura nga Ministria e Financave, efektin më të fortë e ka rritja e Tatimit mbi Fitimin për biznesin e madh nga 10 në 15 për qind. Përmes kësaj rritje, Qeveria parashikon të mbledhë nga kjo kategori ndërmarrjesh rreth 6 miliardë lekë shtesë ose 60 milionë dollarë.

Taksa e dytë është ajo e qarkullimit, që paguhet nga qytetarët ne çmimin e naftes. Që nga një janari kjo taksë do të rritet nga 7 lekë në 17 lekë për litër dhe kjo do t’u kushtojë konsumatorëve afërsisht 56 milionë dollarë më shumë nga sa paguajnë tani. Rreth 40 milionë dollarë të tjera shtesë do të paguhen nga ata që konsumojnë duhan dhe alkool për shkak të rritjes së akcizës. Paralelisht, rritje do të ketë edhe për taksën e ndërtesave të biznesit, e cila do sjellë 1.1 miliardë lekë më shumë për Qeverinë.

Ndërsa efekti i fundit që rrit të ardhurat në buxhet është heqja e përjashtimit të akcizës në prodhimin e naftës. Kjo taksë do t’i sjellë buxhetit 35 milionë dollarë, por që nuk paguhen nga konsumatorët, por nga kompanitë koncesionare të naftës. Këto ishin taksat që rriten. Ndërkohë që disa të tjera ulen. Më kryesorja është heqja e taksës vendore dhe ulja e tatimit mbi të ardhurat për biznesin e vogël, përmes të cilit kjo kategori ndërmarrjesh lehtësohet me 20 milionë dollarë në vit nga taksat.

Po kështu edhe heqja e TVSH-së për ilaçet lehtëson qytetarët me 11 milionë dollarë në vit, ndërkohë që mbetet ende për t’u përcaktuar efekti i taksës progresive. Varianti fillestar i Ministrisë së Financave, i cili e barazonte barrën e pagave në nivelin 90 mijë lekë e kishte efektin lehtësues për qytetarët rreth 8 milionë dollarë. Por ky variant ra dhe Qeveria miratoi një tjetër, i cili ka një efekt më të madh lehtësues që mbetet ende për t’u përcaktuar. Ndërkohë që efekte lehtësuese pritet të ketë edhe nga ulja e taksave për disa produkte bujqësore. Por në total, të gjitha ndryshimet në paketën e re fiskale kanë një efekt neto rëndues me 180 milionë dollarë. Një masë që Qeveria thotë se është e diktuar nga situata e vështirë që i la financat Qeveria e shkuar dhe presioni i Fondit Monetar.  

Top Channel