Britania forcon kushtet për emigrantët

13/12/2013 00:00

Për herë të parë emigrantët që do të shkojnë sot e tutje në Britani për të jetuar dhe punuar në këtë vend do të merren në pyetje për të parë nivelin e gjuhës angleze dhe në vartësi të saj do të përcaktohet nëse do të mund të marrin ndihmat sociale të strehimit, apo papunësisë.

Njoftimin e bëri ministri britanik i Punës dhe Pensioneve, Ian Duncan Smith, i cili deklaroi se emigrantët, kryesisht nga vendet e BE si Rumania apo Bullgaria e ndonjë vend tjetër, do të pyeten edhe për përpjekjet që kanë bërë për të gjetur vende pune në Britani përpara mbërritjes në ishull.

Ka një shqetësim të madh në vend për ardhjen e mundshme të shtetasve bullgarë dhe rumunë pas 1 janarit, kur ata do të mund të kërkojnë ndihma njëlloj si gjithë shtetasit anglezë, si qytetarë me të dreja të plota të një shteti të BE-së.

Këto masa pritet të kundërshtohen nga Komisoni Evropian, por Britania duket se është e gatshme të përballet deri në Gjykatën Evropiane për këto masa që i cilëson ligjore dhe të rëndësishme për shmangien e abuzimeve me sistemin bujar të ndihmave sociale britanike.

Ndërkohë, nuk është e qartë nëse këto masa janë të vlefshme për azilkërkuesit jashtë BE-së. Në Britani vazhdojnë të mbërrijë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, që ose kërkojnë azil si minorenë për gjakmarrje, apo si viktima të prostitucionit, ose qëndrojnë në të zezë.

Ka një shqetësim nga autoritet britanike të emigracionit për abuzimet me moshën nga azilikërkuesit minorenë, të cilët përkujdesen nga shteti deri në moshën 18-vjeçare, sipas rregullave ndërkombëtare të azilit.

Top Channel