KLSH kallëzim për dy ish-kryeinspektorë të INUK

12/12/2013 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar për ndjekje penale dy
ish-kryeinspektorë të INUK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Mësohet
se shkeljet për të cilat akuzohen dy ish-zyrtarët i përkasin viteve
2010-2012. Më konkretisht ata kanë penguar prishjen e ndërtimeve pa
leje.

“Për periudhën 2010-2012, ka konstatuar një sërë shkeljesh si pasojë e të cilave ka çuar në Prokurorinë e Rrethit Tiranë për kallëzim penal, dy ish Kryeinspektorë të këtij institucioni që e kanë drejtuar atë në vitet 2010 deri 2012, me akuzën e shpërdorimit të detyrës për:

Moszbatim të ligjit në evidentimin, pengimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe mosadministrimin e vlerave materiale (automjetet e karburant) sipas kërkesave ligjore.

Moszbatim të afateve ligjore në procedurat për vjeljen e gjobave me vlerë 99,653 mijë lekë, në kundërshtim me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”, ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar dhe VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor urbanistik kombëtar e ai vendor”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej mësohet se dy ish-kryeinspektorët akuzohen për mosevidentim me procesverbale ekzekutimi të vendimeve të prishjes së objekteve pa leje ndërtimi dhe për mos evidentimin e shpenzimeve për prishjen e objekteve në ngarkim të subjektit kundërvajtës në 136 raste.

Veprime dhe mosveprime e kryera në kundërshtim me ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij për 11 raste të ankesave nga qytetarë të ndryshëm.

Top Channel