Për ish-legjendën e futbollit botëror, Diego Armando Maradona, Argjentina e tij do të jetë ajo që do të ngrejë kupën në shtëpinë e rivalëve historikë të Brazilit, gjatë Botërorit të vitit të ardhshëm.
“Do të përsëritet viti 1986 (kur Argjentina fitoi titullin e dytë të saj). Argjentina do të shpallet kampione e botës”, parashikoi Maradona në një intervistë për një televizion argjentinas.
“Brazili është një rival shumë i fortë për t’u mundur. Gjermania dhe Holanda janë skuadër shumë të forta. Italia nuk vjen në këtë Botëror si favorite, ndërsa Spanja më duket se është mërzitur me stilin e saj të lojës. Vazhdon të pasojë pambarimisht, por nuk janë më përcaktues si dikur”, shtoi Maradona, duke iu referuar kundërshtarëve kryesorë.
“Ne argjentinasit ia dimë gjithmonë vlerën asaj që kemi. Jo vetëm në futboll, por edhe në jetë në përgjithësi. Ka gjithmonë një që mund të duket më mirë, por unë kam shumë besim në aftësitë e kësaj përfaqësuese”, tha gjithashtu Diego.
Argjentina do të nisë aventurën e saj në Botëror në stadiumin e “Maracana”-së, në Rio de Zhaneiro, përballë Bosnje dhe Hercegovinës në datën 21 qershor 2014.
Rivalët e tjerë të grupit të skuadrës bardheblu janë Irani dhe Nigeria.
Top Channel