Kerry: Irani, i dyshimtë, por jo sanksione të reja

11/12/2013 04:20

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka hedhur dyshime lidhur me faktin nëse Irani është i përgatitur për të arritur një marrëveshje përfundimtare me fuqitë perëndimore mbi heqjen dorë nga programi i diskutueshëm bërthamor i tyre, por ka nxitur ligjvënësit amerikanë të mos vendosin sanksione të reja ndaj këtij vendi.

“Kam dalë nga negociatat tona paraprake me pikëpyetje serioze në lidhje me gatishmërinë e tyre apo dëshirën për të bërë disa zgjedhje që duhen bërë”, tha Kerry përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, gjatë ditës së martë.

“A i ka ndryshuar Irani llogaritë e tij bërthamore? Sinqerisht, nuk mendoj se mund ta themi me siguri këtë gjë momentalisht. Dhe ne, sigurisht, nuk i marrim për bazë fjalët apriori”, tha Kerry.

Kryediplomati amerikan, i cili ndihmoi në arritjen e një marrëveshje të përkohshme 6-mujorshe me Iranin për të ngrirë disa pjesë të programit të tij bërthamor, tha: “Më bësoni, nuk është çështje besimi”.

“Duke pasur parasysh historinë, jemi me të drejtë skeptikë nëse njerëzit janë gati të bëjnë zgjedhje të vështira, për të arritur këto objektiva”.

Por, ai theksoi se serioziteti i Iranit duhet të vihet në provë përgjatë këtyre 6 muajve, të përcaktuara në marrëveshjen e përkohshme të arritur muajin e kaluar në Gjenevë.

Irani ka mohuar akuzat se po synon të krijojë armët bërthamore, duke e maskuar programin e saj si për qëllime civile dhe energjie atomike.

Kerry tha se “tashmë, kemi shansin më të mirë, që kemi pasur ndonjëherë, për të testuar këtë propozim pa humbur ndonjë gjë”, teksa nxiste ligjvënësit të zmbrapsur vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Teheranit, në mënyrë që t’u japë negociatorëve më shumë kohë për të punuar.

“Nuk jam duke thënë përgjithmonë… Nëse kjo periudhë rezulton e dështuar, do të rikthehemi te ju për të kërkuar më shumë sanksione. Jam duke thënë ‘jo’ për momentin”.

Dy senatorë amerikanë, demokrati Robert Menendez dhe republikani Mark Kirk, janë duke përfunduar një projekt masash të reja ndaj Iranit, të cilin ata shpresojnë ta paraqesin në Kongres, përpara se ky të marrë pushimet e fundvitit.

Senatori republikan, John McCain, i cili shpreson që senatorët të “arrijnë një marrëveshje në ditën e ardhshme apo në dy ditë”, refuzoi idenë se futja e legjislacionit të sanksioneve të reja në këtë moment do të dëmtonte marrëveshjen e përkohshme.

“Legjislacioni i ri supozohet të jetë një marrëveshje 6-mujorshe”, tha McCain, sipas të cilit do të synohet ndëshkimi i Iranit, nëse nuk i përmbahet, nga ana e tij, marrëveshjes së arritur muajin e kaluar me grupin e të ashtuquajturve P5+1, të fuqive botërore, ku bëjnë pjesë 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB (SHBA, Britani, Francë, Rusi, Kinë), plus Gjermaninë.

Top Channel