Hollande: Ndërhyrja në RAQ, e detyrueshme

11/12/2013 21:20

Presidenti i Francës, Francois Hollande, mbrojti ndërhyrjen ushtarake të Francës në Republikën e Afrikës Qëndrore, pak ditë pasi dy ushtarë francezë u vranë në luftimet e regjistruara në kryeqytetin Bangui.

Duke folur nga kryeqyteti i ish-kolonisë së trazuar, Hollandë theksoi se dërgimi i 1 600 trupave në vend u bë i detyrueshëm për të shmangur masakrën.

“Nëse nuk do të vepronim tani, historia nuk do të na falte. Ishte koha për të vepruar. Vetëm në Bangui, në vetëm pak ditë u vranë më shumë se 400 persona”, deklaroi Hollande.

Ditën e hënë, dy parashutistë francezë mbetën të vrarë në një përleshje të armatosur të ndodhur në afërsi të aeroportit të Banguit, duke u shndërruar në humbjet e para të ushtrisë franceze në këtë konflikt.


Harta e Republikes se Afrikes Qendrore

Gjatë të gjithë 2013-s, Republika e Afrikës Qëndrore, kufi me Çadin, Sudanin, Sudanin e Jugut, Kamerunin, Republikën e Kongos dhe Republikën Demokratike të Kongos ka qenë e përfshirë në një gjendje kaotike që ka destabilizuar të githë rajonin.


Drama qe po verifikohet ne rruget e kryeqytetit Bangui

Republika e Afrikës Qëndrore, një prej vendeve më të varfëra të planetit, ndodhet i zhytur në një situatë të plotë kaotike, që kur kryengritës të armatosur rrëzuan qeverinë e ligjshme në muajin Mars.

Një aleancë e përbërë nga disa grupime rebele e njohur si “Seleka” mundësoi largimin e presidentit Francois Bozize dhe zëvendësimin e tij me komandantin e tyre, Michel Djotodia.


Huligane te krishtere shkaterrojne nje xhami ne RAQ, ku dhuna nderfetare ka marre permasa te frikshme

Tashmë në cilësinë e presidentit, Djotodia ka shpërndarë forcat rebele, duke i integruar trupat në ushtrinë e rregullt, pozicion që shumë kryengritës e kanë përdorur për të terrorizuar zona të tëra të vendit nëpërmjet plaçkitjeve, përdhunimeve apo vrasjeve.

Top Channel