
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ashpër ndaj incidenteve në Kukës, ku në përfundim të ndeshjes me Skënderbeun disa persona civilë janë futur në fushën e lojës, duke krijuar kaos dhe duke tentuar të godasin gjyqtarët e ndeshjes, ndërkohë që edhe trajneri Mirel Josa është goditur pas ndeshjes.
Pikërisht për dështimin e përmbushjes së përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, diskriminimin e zyrtarëve të ndeshjes, si dhe përgjegjësitë për spektatorët, skuadrës së Kukësit i zbriten 3 pikë nga klasifikimi dhe 4 ndeshje do t’i zhvillojë jashtë fushës së saj.
Menjëherë pas këtij vendimi, në Kukës, një pjesë e tifozerisë ka dalë nëpër rrugë duke protestuar, madje duke paralajmëruar edhe përshkallëzim të protestave, deri në bllokimin e Rrugës së Kombit.
Sa i përket vendimeve ndaj skuadrës së Kukësit, është pezulluar edhe trajneri i tyre Naxhi Shensoi, i cili, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, një rast i përsëritur, dënohet me 12 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Komisioni vendosi gjithashtu zhvillimin e një ndeshjeje pa tifozeri për skuadrën e Bylisit, pas incidenteve të shkaktuara në ndeshjen e fundit kundër Partizanit.
Këto janë masat kryesore të marra nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-së, ku sigurisht më kryesori dhe më i rëndi ka qenë vendimi ndaj skuadrës së Kukësit, të cilat mund të apelohen nga palët e përfshira brenda 3 ditëve.
Top Channel