
Jo zhgënjim, por mllef. Trajneri i Juventusit, Antonio Conte në përfundim të takimit që nxorri jashtë Ligës së Kampioneve skuadrën e tij deklaroi se ishte një penalizim i pamerituar.
“Me luajtjen e kësaj ndeshjeje në të tilla kushte, jemi penalizuar jashtë mase. Është një eleminim, që për mendimin tim s’është i drejtë”, komentoi Conte duke pranuar gjithsesi hapat fals në ndeshjet e para të grupit.
“I ndërlikuam vetë punët duke lënë diskutimin e kualifikimit për në ndeshjen e fundit”, tha ai.
Më pas, trajneri i bardhezinjëve tha se do të kishte qenë më mirë që ndeshja të shtyhej për një datë tjetër. Këtë ide ai ia kishte paraqitur arbitrit, duke shtuar se edhe trajneri i Gallatasarajit ishte dakort.
“U përpoqa që të shtyhej takimi. Bëmë një mbledhje me delegatin e UEFA-s, por askush s’na dëgjoi. Mancini vetë tha se ishte e rrezikshme për lojtarët që të luhej në një terren të tillë, por gjyqtari u përgjigj se e rrezikshme ishte dje, jo sot”, rrëfen Conte.
Pretendimet e Conte-s i mbështeti edhe vetë Mancini, por përkundër kolegut të tij, ai tha se skuadra e tij e meritonte kualifikimin.
“Mendoj se ishte e vështirë dhe e rrezikshme të luaje në atë terren. Thashë që ishte më mirë që ndeshja të shtyhej për një tjetër datë sepse ishte e rrezikshme për lojtarët. Megjithatë ndeshja u luajt. Ishte një ndeshje e hapur dhe ne ishim pak më shumë agresivë sepse na duhej fitorja të cilën e morëm dhe mendoj se e merituam”, tha Mancini.
Ndërkohë, lidhur me të ardhmen dhe aventurën tashmë në Ligën e Europës, trajneri i bardhezinjve u shpreh se fillimisht skuadra duhet të vazhdojë serinë e fitoreve në kampionat dhe pastaj të mendojë Ligën e Europës. Ai premtoi se skuadra do të japë maksimumin në këtë kompeticion, finalja e të cilit luhet pikërisht në “Juventus Stadium”.
Top Channel