RAQ, trupat francezë nisin çarmatimin e milicive

10/12/2013 01:40

Trupat franceze në Republikën e Afrikës Qendrore janë përplasur me rebelët, të cilët janë në përpjekje për t’i çarmatosur, me synimin për t’i dhënë fund dhunës mes grupeve rivale të armatosura, që kanë vrarë me qindra persona që prej javës së kaluar.

Të shtëna pati gjatë së hënës pranë aeroportit, teksa ushtarët francezë po kërkonin për armë në kryeqytetin Bangui, bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters.

Më vonë, forcat franceze u sulmuan nga ish-rebelë në qendër të qytetit, por asnjë raportim nuk është dhënë për viktima.

Një komandant i lartë i Seleka-s, Nourdine Adam, është arrestuar dhe është marrë në pyetje pas përplasjeve.

“Nourine Adam është nën arrest dhe u transferua për në bazën ushtarake të aeroportit ndërkombëtar, pas një grindjeje në rrugë me rezidentë lokalë”, njoftoi Al Jazeera gjatë së hënës. “Ai qëndroi atje për pak kohë, ndërsa më pas u pa në Pallatin Presidencial. Nuk dihet nëse ai ishte arrestuar nga francezët si pjesë e misionit të tyre për çarmatosje, apo për t’i ofruar atij siguri”.

Dhuna në ish-koloninë franceze mes rebelëve muslimanë të Seleka-s, të cilët e kanë origjinën nga vendet fqinje të Çadit dhe Sudanit, dhe të krishterëve anti-Balaka, emri i të cilëve nënkupton “hanxharin”, apo armën e përdorur zakonisht prej Seleka-s.

Shtetet e Bashkuara ofruan të hënën suport logjistik dhe thanë se do të dërgonin aeroplanë ushtarakë për transportin e trupave nga Burundi drejt RAQ, për t’iu bashkuar forcave paqeruajtëse të Unionit Afrikan prej 2500 trupash.

Rebelët e Seleka-s morën pushtetin në mars dhe vendosën Michel Djotodia si president, i pari lider musliman në kombin e dominuar nga të krishterët.

Të dy palët e milicive akuzohen nga grupet e të drejtave të njeriut për kryerjen e mizorive si përdhunimi, si dhe për masakër ndaj civilëve. Të paktën 459 vetë janë vrarë në Bangui, që prej së enjtes së kaluar, njoftojnë zyrtarë të Kryqit të Kuq.

Top Channel