Milan-Ajaks, Alegri: S’mund të mbrojmë 0-0

10/12/2013 00:00

E ardhmja e Milanit në Ligën e Kampioneve, dhe bashkë me të ndoshta edhe e ardhmja e Allegrit në stolin e kuqezinjve, varet nga rezultati i ndeshjes të së mërkurës ndaj Ajaksit në San Siro.

Kuqezinjtë presin skuadrën holandeze me 8 pikë, një më shumë se ta. Një barazim do t’i mjaftonte italianëve për të siguruar kualifikimin, megjithatë, trajneri Allegri paralajmëron.

“Është një ndeshje që luhet brenda dhe jashtë fushës me avantazhin e dy nga tre rezultatet e mundshme. Është një ndeshje futbolli si gjithë të tjerat, përvec faktit që barazimi ka të njëjtën vlerë si fitorja. Por ne duhet të zbresim në fushë për të fituar, s’mund të qëndrojmë pas dhe të mbrojmë rezultatin 0-0”, thotë numri një i pankinës së Milanit.

Allegri shprehet optimist dhe gjendjen e skuadrës e vlerëson të mirë.

“Jemi në një gjendje të mirë dhe vijmë nga dy rezultate dhe ndeshje të mira. Nesër (të mërkurën) luajmë një ndeshje vendimtare, objektivi i dytë i sezonit. Nuk do të jetë e thjeshtë, por duhet të përballojmë ndeshjen me qetësi dhe vendosmëri”, tha ai.

Milani ndodhet në grupin H të Ligës së Kampioneve, së bashku me Barcelonën, Ajaksin dhe Sëlltikun. Katalanasit kanë mbyllur llogaritë me kreun e grupit, ndërsa vendi i dytë përcaktohet nga ndeshja e nesërme mes Milanit dhe Ajaksit.

Top Channel