Kriza politike në Ukrainë

10/12/2013 00:00

Presidenti ukrainas, Viktor Janukovic do të takohet sot me dy ish-presidentë të tjerë të vendit për të diskutuar mbi krizën që ka përfshirë vendin pas refuzimit të marrëveshjes për tregti të lirë me Bashkimin Europian.

Bisedimet mes presidentëve mbërrijnë në një kohë kur protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë në “Sheshin e Pavarësisë” në Kiev me kërkesat e tyre për dorëheqjen e qeverisë dhe lirimin e ish-kryeministres, Julia Timoshenko.

Drejt Kievit është nisur edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Ashton do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të qeverisë, drejtuesit e opozitës dhe shoqërisë civile për gjetjen e një zgjidhje për daljen nga kriza politike.

Nga ana tjetër, Komisioni Europian deklaroi se oferta e tij për Ukrainën mbetet e vlefshme dhe në tryezën e Kievit për të firmosur kurdoherë, ndërsa vlerësoi se kushtet dhe termat e marrëveshjes nuk mund të rinegociohen më.

Të hënën në mbrëmje, forcat speciale të policisë shpërndanë protestuesit dhe hoqën tendat e vendosura prej tyre përballë disa godinave qeveritare, ndërkohë që epiqendra e protestës, ajo në “Sheshin e Pavarësisë” vazhdon ende e paprekur.

Protestuesit dhe udhëheqësit e tyre heqin një paralele mes protestës aktuale dhe “Revolucionit të Portokalltë” të 2004-ës. Në fakt protestat janë më të mëdha që Ukraina ka parë që prej asaj kohe. Prej 3 javësh protestuesit kundërshtojnë orientimin drejt Moskës së presidentit Janukoviç dhe kërkojnë menjëherë nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkimin Europian.

Top Channel