Kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe vranësira, si parashikohet moti për këtë të dielë
Tregtarët e ish-Uzinës Dinamo vazhdojnë të kundërshtojnë kërkesën e Bashkisë së Tiranës për t’u zhvendosur nga ky treg për shkak të gjurmëve të cianurit të gjetura aty.
Në një lidhje direkte me emisionin e mëngjesit në Top Channel, “Wake Up” me Eno Popin, ata thonë se ende nuk kanë marrë një kërkesë me shkrim nga ana e Bashkisë apo autoriteteve të tjera shtetërore për t’u zhvendosur prej tregut.
Madje tregtarët aludojnë se gjithcka bëhet për përfitime të një grupi personash dhe se në treg nuk ka gjurmë cianuri.
Dy ditë më parë, Bashkia e Tiranës u kërkoi qytetarëve që të mos frekuentojnë më tregun tek ish-uzina “Dinamo”, ku shiten fruta dhe perime, pasi një ditë më parë Ministria e Mbrojtjes ka zhgroposur 700 kg cianur, pa marrë parasysh riskun e ndotjes së ambientit nga ky helm.
“Bashkia e Tiranës kërkon në mënyrë të menjëhershme nga autoritetet përkatëse të kryejnë analizat, kqyrjet dhe verifikimet e nevojshme, për të vlerësuar ndikimin mjedisor të zhvendosjes së lëndës helmuese në kushte amatoreske. Ne u kërkojmë gjithashtu qytetarëve të Tiranës të ndalojnë frekuentimin e këtij tregu deri në verifikimin e ndikimit që cianuri ka shkaktuar në këtë treg. U kërkojmë organeve përkatëse të nisin hetimet për përgjegjësit e këtij akti kriminal, që vuri dje në rrezik jetën e qytetarëve të Tiranës”, tha Enno Bozdo, nënkryetar i Bashkisë Tiranë.
Bozdo shton se nga cianuri mund të jenë kontaminuar produktet, por ndërkohë rrezikohen tregtarët dhe qytetarët që blejnë atje. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideron zhgroposjen e cianurit si një akt kriminal, pasi nuk u respektuan rekomandimet e dhëna nga Ministria e Mjedisit.
Tregtarët thonë se sasia e cianurit është rreth 2 kilometër larg nga ish-uzina “Dinamo”.
“Ajo sasi cianuri u largua nëpërmjet rrugës ‘5 Maji’, e cila është një rrugë me një qarkullim jashtëzakonsht e frekuentuar për t’u cuar drejt Elbasanit. Ajo sasi nuk preku asnjë centimetër katror të këtij tregu. Pretendimet për kalimin e kësaj sasie cianuri, që sipas tyre ka ndotur ambientin, nuk qëndrojnë”, thotë Alfred Bozhiqi, nga Shoqata e Mbrojtjes së Tregtarëve të Tregut agro-ushqimor.
Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të bëjë matjet e nevojshme, të cilat rezultuan me ndotje bakteriale të disa produketeve ushqimore për shkak të kushteve higjieno-sanitare dhe dëmtimit të disa dhomave frigoriferike.
AKU i ka dërguar një letër Bashkisë së Tiranës, ku i kërkon mbylljen e tregut. Për sa i përket ndotjes me cianur, Ministria e Bujqësisë sqaron se është në pritje të matjeve të Ministrisë së Mjedisit, në lidhje me kontaminimin e mundshëm të kësaj zone pas zhvendosjes së sasisë së cianurit.
Top Channel