F1, gara e fundit do të vlejë dyfish, reagon Vettel

10/12/2013 00:00

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka miratuar me unanimitet të plotë disa ndryshime në rregulloren sportive të kampionatit Botëror të Formula 1.

Vendimi më i çuditshëm është që gara e fundit e kampionatit, në këtë rast Cmimi i Madh i Abu Dabit, do të japë dyfishin e pikëve si në kampionatin e pilotëve, ashtu edhe në atë të konstruktorëve. Pra, fituesi i kësaj gare do të marrë 50 pikë dhe jo 25, siç merr në çdo garë tjetër.

Ky ndryshim bën që fitorja në pista të vështira si Monako dhe Spa të vlejë sa vendi i katërt në një pistë të lehtë si ajo e Abu Dabit.

Nëse kjo normë do të ishte edhe më parë, në vitin 2012 kampion do të shpallej Fernando Alonso, në vitin 2008 Felipe Massa, në vitin 2003 Kimi Raikkonen, Lewis Hamilton nuk do të kishte asnjë titull, ndërsa Michael Schumacher do të kishte 6 dhe jo 7.

Gjithashtu, FIA vendosi që javën tjetër (17-19 dhjetor) të ketë tre ditë testimesh për gomat Pirelli në pistën e Bahreinit. Pjesëmarrjen në këto testime e kanë konfirmuar Red Bull Racing, Mercedes, Ferrari, McLaren, Force India dhe Toro Rosso.

Ndryshimi i fundit është që pilotët do të mund të zgjedhin numrin e preferuar që do e mbajnë gjatë gjithë karrierës në njëvendëshen e tyre. Numrat e disponueshëm janë nga 2 deri tek 99, ndërsa numri 1 është i rezervuar vetëm për kampionin në fuqi.

Vettel kundër FIA-s: Një ndryshim absurd

Kampioni i katërfishtë i botës në Formulën 1, Sebastian Vettel, e cilësoi si “të pakuptimtë” vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), për të akorduar dyfishin e pikëve në garën e fundit të Botërorit.

“Nuk ka asnjë kuptim dhe ndëshkon ata që kanë punuar mirë gjatë të gjithë sezonit. Unë i vlerësoj traditat e vjetra të Formulës 1 dhe nuk i kuptoj dot këto rregulla të reja”, deklaroi Vettel për të përditshmen “Bild”.

Ndonëse rregullorja është e njëjtë për të gjithë, lëvizja e FIA-s është parë gjërësisht si një përpjekje për të luftuar supremacinë disa-vjeçare të Red Bullit në Formulën 1, duke bërë që kampionati të ketë më shumë shanse që të mbetet i hapur deri në fund.

Në bazë të rregullores së re, vetëm për garën përmbyllëse të Abu Dhabit, në sezonin e ardhshëm, vendi i parë do të vlejë 50 pikë, i dyti 36, i treti 30, për të vazhduar me 24 pikë, 20, 15, 12, 8, 4 dhe 2 për vendin e dhjetë.

Top Channel