
Silvio Berlusconi ka vizituar lojtarët e Milanit në prag të ndeshjes ndaj Ajax, takim që do të vendosë nëse kuqezinjtë do të vazhdojnë apo jo aventurën në Ligën e Kampioneve.
Presidenti zbriti me helikopter në Milanello në orën 16:33 së bashku me vajzën Barbara dhe për 45 minuta foli me futbollistët dhe trajnerin në sallën e konferencave të qendrës stërvitore të skuadrës.
“I takova të gjithë djemtë, një nga një. I kujtova atyre se çfarë ka qenë Milani dhe se çfarë është Milani, thënë ndryshe, skuadra me më shumë trofe ndërkombëtarë në Botë. I dhashë mbështetjen time dhe shpresoj që ata të fillojnë ta ndjejnë veten të denjë për këtë klub. Nëse do të gjej kohë për t’i takuar lojtarët më shpesh, mendoj se do të ketë efekte pozitive”, tha Berlusconi pas takimit.
Vizita e fundit e Silvio Berlusconit në Milanello ka qenë ajo e 18 korrikut të këtij viti, me rastin e ditës së parë të stërvitjes për këtë sezon. Më pas, çështjet gjyqësore dhe politike e kanë mbajtur larg skuadrës.
Vitin e kaluar, presidenti takoi skuadrën në krizë më 19 nëntor, një ditë para sfidës ndaj Napolit. Atë ndeshje Milani e barazoi 2-2 dhe nisi një kampionat të ri, duke përfunduar në vendin e tretë.
Top Channel