Juventusit i mjafton një barazim në tokën turke, për të siguruar kualifikimin midis 16 skuadrave më të mira të Europës.
Megjithatë, trajneri Antonio Conte është i vetëdijshëm që marrja e një pike do të jetë një sfidë me të vërtetë e vështirë, përballë një Gallatasarai që luan vetëm për fitoren për të avancuar në raundin e dytë të Champions League.
Përpara “finales” së të martës mbrëma, trajneri i bardhezinjve deklaroi: “Gallatasaraj është një skuadër e fortë dhe ambienti do të jetë shumë armiqësor, por ne do të përpiqemi të bëjmë ndeshjen tonë dhe të fitojmë, edhe pse do ta bëjmë këtë duke respektuar skuadrën e Mancinit, potencialin e saj ofensiv dhe rritjen që ka treguar së fundmi në kampionat”.
“Nuk shoh asnjë të favorizuar për këtë sfidë. Në krahasim me ndeshjen e vajtjes, ne jemi përmirësuar shumë, por duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë përqendrimin deri në fund. Mungesa e Pirlos, i cili është i pazëvendësueshëm, nuk duhet të na kushtëzojë. Ndaj Bolonjës e Udineses u treguam të aftë të fitonim edhe pa të e këtë duhet ta bëjmë edhe në Stamboll”, shtoi Conte.
“Kjo është një ndeshje vendimtare, por nuk është e para e tillë edhe shpresoj as e fundit. Do të zbresim në fushë me mendësinë e duhur dhe një ide të qartë për futbollin që duam të luajmë, me shpresën që të meritojmë kualifikimin”, theksoi trajneri i kampionëve në fuqi të Italisë.
Top Channel