7 arsimtarë u vunë në garë, nëpërmjet një konkursi, për të fituar postin e drejtimit të Drejtorisë Arsimore të qytetit të Tiranës.

Pas prezantimeve të tyre, fituese është shpallur zonja Mimoza Kuqi. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli, pak përpara nisjes së prezantimeve, deklaroi: “Jemi të palëkundur për të vendosur një standard të ri në arsim. Këtë e bëjmë për të rritur transparencën dhe për ta bërë publikun jo vetëm pjesëmarrës, por edhe vendimmarrës”.

I pranishëm në këtë konkurs, kryeministri Edi Rama foli për nevojën e ndarjes së sistemit arsimor nga politika.

“Nuk do të ketë më në oborret e shkollave, mitingje të kryeministrit për t’iu ankuar kalamajve se ç’po heq populli nga opozita, apo sa shumë suksese po prodhon qeveria. S’do të ketë më drejtorë shkollash, që i marrin në telefon me fjalët: shpejt në miting, kuadrati filan, klasa e pestë te pishat, klasa e gjashtë te Piramida, klasa e shtatë mes të dyjave. Nuk do të ketë më arsye, që asnjë mësues dhe asnjë prind të trembet, nëse opozita – s’po them kryetari s’e nuk e di kush është – por përfaqësues të opozitës duhet të bëjnë një takim, por rëndësi ka të mos bëhet në shkollë. Sepse çdokush duhet të ndihet i lirë, se çfarë mendon mësuesi, drejtori, komuniteti i prindërve. Kështu mund të çlirojmë energji, që kanë qenë tërësisht të ndrydhura”, deklaroi kryeministri Rama.

Duke vënë theksin te rëndësia e investimeve në arsim, kryeministri tha se një sistem i shëndoshë arsimor ndikon edhe në zhvillimin ekonomik të një vendi.

“Nxënësi është pasuri e vyer dhe e brishtë. Fati i talentit varet nga puna me talentin. Shkolla nuk është vetëm për të mësuar dhe për të marrë nota, por është motori kryesor i rritjes ekonomike. Cilësia e nivelin arsimor përcakton edhe ecurinë e zhvillimit ekonomik. Të investosh në arsim është sfidë e vështirë, pasi është investim për të ardhmen. Një e ardhme, më e largët se mandati i një qeverie. Arsimi shpeshherë bie prè e keqtrajtimit ku ra prè për vite të tëra, pikërisht se nuk është materie, që investimin në të e kthen në rezultat të prekshëm”, shtoi më tej Rama.

Sfida e shoqërisë sonë – tha kryeministri Rama – është një rivendosje e marrëdhënieve mes prindërve dhe shkollës.

Top Channel