Rreth 60 ish-punonjës të Uzinës së Demontimit të Armëve në Poliçan protestuan për largimin e tyre nga puna prej disa ditësh.

Ata thonë se janë pushuar nga puna për t’u zëvendësuar me të rinj pa përvojë dhe në shenjë proteste janë mbledhur para hyrjes së uzinës ushtarake.

“Ne jemi mbledhur këtu për arsye se na kanë hequr nga lista e punës. Po bën 5 ditë që reparti është hapur dhe mua nuk më kanë shkruajtur emrin. Vij këtu të sqarohem me drejtorin dhe me të tjerët, por nuk më presin. Unë tani dua të di nëse me kanë larguar nga puna dhe të më japin vendimin për cfarë arsye më kanë larguar nga puna. Librezën nuk ma japin, e mbajnë peng”, thotë një ish-punonjëse e uzinës.

“Unë jam një punonjëse prej 25-vitesh në këtë punë. Nuk e di përse jam hequr nga puna. Kërkoj të drejtën time, të di përse kam dalë nga puna”, thotë një tjetër ish-punonjëse e uzinës.

Në Uzinën e Poliçanit vijon puna për demontimin e municioneve të mbledhura nga depot ushtarake.

Top Channel