Aleksander Cipa – Ajo që ndodhi në shkollën e Shkozetit tri ditë më
parë, mund të harrohet pas dy ditësh të tjera nga opinioni ynë publik.
Ky është një opinion që për shkak të fluksit të ngjarjeve, po dëshmon harresë të shkurtër dhe harrim të shpeshtë. Por nuk ka për të ngjarë kështu besoj, dhe nuk ka për t’u kapërcyer kurrë kjo ngjarje, nga dy palë familje dhe natyrisht, edhe prej stafit të mësuesve të asaj shkolle dhe sidomos prej dhjetëra e pse jo, edhe qindra nxënës që u bënë sa dëshmitarë, aq edhe viktima të traumatizuar nga ajo ngjarje. Tejkalimi me harresë i kësaj ngjarjeje është padyshim një çështje tjetër e rëndë me të cilën bashkëjeton shoqëria jonë dhe sidomos gjithë institucionet e linjës së arsimit.
Për këtë ngjarje, në tri apo gjashtë ditët në vijim, patëm protagonistë veç autorit dhe viktimës (dy 16 e 17-vjeçarë) dhe një mësuesi të prangosur përkohësisht, edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit. Në mediume ngritëm kritika për pasigurinë në shkolla, për papërgjegjshmërinë tonë kolektive ndaj armëve të pambledhura dhe që gjenden me lehtësi edhe në duart e adoleshentëve, për rreziqet që ofron hapësira virtuale, për përdorimin dhe hobet me rrezikshmëri të lartë, si dhe për elementet e pafundme të dhunës që dominon realitetin tonë të përditshëm dhe sidomos mjediset familjare në shoqërinë ku dhuna dhe kriza sociale po shtohen e mavijosen pothuajse përditë.
Matanë këtyre konstatimeve dhe sidomos alarmimit të policisë për të kapur në kohë rekord autorin e vrasjes së bashkëmoshatarit në klasën e shkollës së Shkozetit, nuk ka gjë tjetër (!) Madje fatkeqësisht, duket se nuk do të ketë asnjë masë preventive për të depërtuar në thelbin e problemit. Imazhi i asaj shkolle apo klase të përgjakur, do të fshihet fatkeqësisht shumë shpejt, pas disa ditëve kur në ekranet dhe mediat tona të zërë vend një tjetër ngjarje radhe, me të tjerë autorë dhe viktima, si dhe me protagonistë, madje akuzues dhe të akuzuar të tjerë.
Në këtë rrjedhë të përditshme, Shqipëria e sotme vijon të shtresëzojë problemet e veta sociale dhe të nxjerrë në sy të publikut dhe opinionit situatën aq alarmante të shkaktuar nga medalja me dy anë të pabarabarta: ana më e madhe dhe me zgjerim të përdorshëm ajo e papërgjegjësisë dhe papërgjegjshmërisë përballë rreziqeve dhe negativiteteve shumëformëshe dhe ana më e vogël, ajo e reflektimit dhe e denoncimit ankimtar, por jo e nismave imponuese brenda shoqërisë, në raport me ligjet dhe shtetin e së drejtës.
Ajo shkollë në Shkozet, pas gjakut të derdhur në mes të klasës, është simboli tragjik i përskuqjes së shkollës sonë në përgjithësi. Në mjediset arsimore të republikës, ajo njollë gjaku e adoleshentit të vrarë, duhet të thahet sa më parë, por ndjenja dhe tronditja e shkaktuar meriton të ngrenë në këmbë shoqërinë tonë. Nuk duhet harruar e aq më tepër lënë në kalimtarësinë e vet kjo ngjarje. Për atë vrasje të ndodhur, politika do të vijojë klasikisht të kërkojë përgjegjësi brenda vetes, te pala tjetër e saj. Ndërsa shoqëria nuk ka arsye dhe e ka inteligjencën më të lartë, për të pranuar verdiktet hipokrite të kësaj përballjeje të ndenjur. Vrasje të tilla kanë ngjarë, madje edhe më tragjikisht në shkolla të SHBA apo në vende të tjera të Europës. Kjo kronikë nuk është e vetme për Shqipërinë, aq më tepër për Shkozetin. Por ngjarjet e tilla apo qoftë edhe më të lehta të ndodhura në SHBA apo në Europë, kanë qenë arsyeja madhore që i ka shtyrë parlamentet apo qeveritë e këtyre vendeve të iniciojnë përmirësime ligjore dhe masa administrative të tilla, që evitojnë ripërsëritjet apo ndodhitë e ngjashme. Në këto vende nuk mjaftohet me ngushëllimin e prindërve të viktimave, por reagohet me parandalime dhimbjesh të ngjashme për prindër dhe familjarë të tjerë. Kjo logjikë mungestare e tradhton përgjegjësinë institucionale në këtë vend para dhe pas ndodhish të tilla si ajo e Shkozetit.
Përskuqja e shkollës së Shkozetit është për sot dhe të ardhmen, një ngjarje që duhet të ketë peshën e dhimbjes reale për humbjen e jetës së një fëmije dhe prishjen e jetës së një tjetri, por edhe të një “tabele ndaluese” dhe fatale, për çdo ripërsëritje dhe abuzim me pakujdesinë institucionale dhe atë shoqërore. Nuk mund të përfshihet në këtë masë pasja ose instalimi i një polici në portën e shkollës. Jo. Diçka e tillë do të ishte naive dhe me kosto. Në këtë përgjegjësi parandaluese është çasti të përfshihen shumë komponentë, shumë aktorë dhe sidomos është momenti i riverifikimit të marrëdhënies komunikuese familje-shkollë, prindër-mësues, nxënës-media dhe sidomos polici-kompjuter. Nga ky rast dhe nisur prej qasjeve të përcjella në debatin e deritanishëm mediatik në vend për “rastin Shkozet”, ngrihen mjaft sugjerime dhe deduksione, të cilat meritojnë të bëhen shqyrtesë dhe pistë e re interesimi për policinë e sektorit të “krimit kompjuterik” në vend.
Interneti është një fushë në të cilën “udhëtojnë vrasje të ngjara dhe të ardhme”, shprehen sociologë dhe pedagogë të psikologjisë postmoderne. Shqipëria nuk bën përjashtim, aq më tepër që tashmë është e listuar ndër vendet që bie nën etjen dhe urinë në shtim, të përdorimit masiv të kompjuterit. Syçeltësia e kësi strukturave antikrim në “hapësirën ndërkombëtare të internetit” për grupmoshat delikate dhe sidomos masat e rinisë shkollore është shumë, shumë e pamjaftueshme deri tani, për të ndalur drama dhe tragjedi që shkojnë deri te përskuqja e klasës nga nxënësit apo nga tragjedi të tjera adoleshentësh. Kjo është vetëm një masë, të tjera edhe më të rëndësishme dhe me më tepër përkushtim duhen investuar me urgjencë mes shkollës, shtetit dhe familjes. Kjo vlen të bëhet në emër të jetës dhe dashurisë që kemi për fëmijët dhe rininë e këtij vendi.
Gazeta “Shqip”
Top Channel