Banorët e fshatit Kalivaç kanë nisur një protestë, duke pretenduar se kompania, e cila po ndërton një hidrocentral në këtë zonë, ka shkaktuar dëme, ndërkohë që një pjesë e protestuesve thonë se kanë qenë punëtor në këtë kantier dhe nuk janë paguar.

Policia ka arrestuar tre ditë më parë katër punëtorë për tubim të paligjshëm, pas denoncimit të kompanisë nënkontraktore BEG s.a Energy shpk. Sipas policisë, në pranga janë vënë Franko Dervishi, Bino Cela, Ylber Aga – këshilltar në komunën Krahës, dhe Perlat Zeqëneli, kryeplak i fshatit Kalivaç.

Motivi i ndalimit të këtyre personave lidhet me faktin se ata janë përfshirë në tubime të paligjshme. Të premten, pritet që gjykata të vendosë masën e sigurisë për katër të arrestuarit.

“Kam qenë punëtor që në 2010-n. Kam edhe parà për të marrë, sepse kam që në 2010-n pa marrë lekët. Kam nga 120.000 lek (të reja) bashkë më byrazerin Pëllumb Rrapaj, unë quhem Adriatik Rrapaj. Çfarë firme është kjo?”, tha Adriatik Rrapaj, ish-punonjës.

“Begeti e ka bërë tërë këtë gropën këtu, ku pimë ujë ne. Këtu po pinë ujë qentë, këtu po pimë edhe ne. Begeti duhet të flasë me neve, me Kalivaçin, të na japë neve llogari. Burimin e ka prishur, ja ku ka qenë burimi dhe na ka hapur këtë gropën e varrit këtu. Prandaj qeveria duhet t’i zgjidhë këto gjëra. Ne jemi njerëz, nuk jemi shtazë, nuk jemi në Somali”, tha një banor i zonës.

“Ne po kërkojmë nga kjo firmë dëmshpërblim të 12 vjetëve të tokës bujqësore, që nuk është e vaditur. Kërkojmë që punëtorët të pajisen me kontratë pune dhe siguracione, sipas rregullave që ka çdo firmë këtu në vendin tonë”, shtoi një tjetër banor.

Kreu i komunës Krahës tha se ishte në mbështetje të banorëve, ndërsa i etiketoi arrestimet si të paligjshme.

Gazetari:
Të arrestuarit a janë punërorë të firmës?

“Po, janë punonjës të firmës. Kam kërkuar t’u jepen kontratat e punës dhe sigurimet shëndetësore, pasi këta njerëz janë pa sigurime shoqërore, në të njëjtën kohë, kur kjo firmë nuk ka një lloj të drejte, që t’u paguajë këtyre sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Këta janë në punë të zezë. Këtu nuk u bllokua as rrugë, as një diçka. Unë kam qënë këtu prezent, edhe me firmën, dhe nuk më kanë kërkuar të zhbllokoja rrugën. Sepse, nëqoftëse do mbyllej një rrugë, i pari që e ndiej shqetësimin jam unë, që të merrem vesh me këta burra”, tha Astrit Dervishi, kreu i komunës Krahë.

Top Channel