Andrea Stefani – Opozita e Partisë Demokratike, me zërin e Lulzim
Bashës, por nën nxitjen e Sali Berishës, ka rënë në pozita të vajtueshme
të një komedie donkishoteske, ndërsa rreket të ngrejë një “uragan
popullor” për të protestuar kundër Kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit paska “fyer shqiptarët”, sepse paska ekspozuar portretin e diktatorit komunist Enver Hoxha në sfond të ceremonisë zyrtare në ditën e Çlirimit. “Gjëma e madhe” i referohet shfaqjes së një portreti prej letre të diktatorit në një qosh të turmës së pjesëmarrësve në ceremoni dhe me shumë gjasa, i ngritur nga ndonjë nostalgjik i diktatorit apo anëtar i Partisë Komuniste. Akuza për rehabilitimin e diktatorit jo vetëm se bazohet në keqkomentim me dashje të fakteve, por njëherazi, është shprehje e mungesës së kauzës reale prej nga PD–së i lind edhe nevoja e “rilindjes” së kauzës së vjetër të “antikomunizmit” për ta përdorur kundër “rilindjes” së PS-së.
***
Basha gënjen kur akuzon Ramën se po rehabiliton diktatorin duke nxjerrë portretin e Enverit. Para së gjithash janë vetë komunistët që kanë pranuar autorësinë e aktit. Së dyti, në ceremoninë e përvjetorit të Çlirimit janë të lirë të marrin pjesë demokratë, socialistë, komunistë, madje edhe ballistë po të dëshironin. Ajo ceremoni nuk ishte e organizuar nga PS-ja dhe në krye të saj ishte edhe Presidenti i Republikës. Ndaj po qe se ngritja e një portreti kartoni nga ndonjë komunist përbën rehabilitim të Enverit atëherë dy Bja (Basha dhe Berisha), duhet të fajësonin edhe Nishanin. Por nuk kemi të bëjmë fare me “rehabilitim”. Komunistët e një partie, që nuk është shpallur jashtë ligjit, kanë ekspozuar portretin e një politikani që ata e kanë idhull të tyre. Një dukuri e rëndomtë që ndodh në çdo demokraci perëndimore me të gjithë të këqijtë e politikës nga Hitleri, Duçja e deri te Pinoçeti. Rasti në fjalë tregon se sa pak e kuptojnë Basha dhe Berisha frymën e demokracisë, e cila priret nga lejimi dhe konkurrimi i ideve politike dhe jo nga ndalimi i tyre. Por rasti dëshmon edhe për një hipokrizi të skajshme të këtyre politikanëve me mosha krejt të ndryshme, por me një mendësi të njëjtë. Sepse pikërisht këta, që sot gjëmojnë për sakrilegjin e ngritjes nga komunistët të një portreti të diktatorit, kanë qenë ata që bënë koalicion me komunistët në vitin 2011 në garën për Bashkinë e Tiranës. Basha bën sikur e harron se ndodhet sot në postin e kryebashkiakut vetëm pas realizimit, me anë të një proceduralizmi antidemokratik, të një manipulimi me votat e hedhura gabim dhe që gjithsesi, nuk do të kish funksionuar pa ato një mijë e kusur vota që i dhanë komunistët. Është në pushtet me votat e enveristëve, dhe çirret për rrezikun e imazhit prej letre të Enverit! Hipokrizia është nga më grotesket. Përmendin edhe të përndjekurit e komunizmit këta spekulantë politikë që i lanë të vetëdigjen në grevë urie!
***
Por cilat janë shkaqet që e detyrojnë Berishën dhe Bashën të luajnë këtë estradë absurde me “antikomunizëm” kundër fantazmës së diktatorit? Mbi të gjitha është mungesa e një kauze të vërtetë politike. Berisha është rrëzuar nga pushteti me votë plebishitare si një autokrat shumë i korruptuar. Kauza të tij nuk mund të jenë as demokracia, as liria dhe as drejtësia. Pas mbi 23 vjet përpjekjesh të pareshtura për kapje të të gjithë pushteteve, zgjatje pa fund të sundimit me manipulim zgjedhjesh, kapje të drejtësisë dhe pasurimi korruptiv, askush, veç klaneve të pasuruara nga absolutizmi i tij, si dhe një pjesë e elektoratit të droguar nga kulti i tij i tipit enverist, por i rrudhur dukshëm tashmë, nuk i shkon më pas. Prandaj në gjakimin patologjik për t’u ringjitur në pushtet rreket të rikthejë prapa rrotën e historisë në vitet ‘90, atëherë kur ngjitej në pushtet me kauzën e antikomunizmit, por për të realizuar një neokomunizëm në formën e autokratizmit. Një orvatje kundër gjoja hoxhizmit e trukuar me “goxhizëm”, por që është e destinuar të dështojë, sepse tashmë shumica e shqiptarëve e ka mësuar që vetë berishizmi është enverizmi i kohës sonë.
***
Një shkak tjetër që e nxit Berishën, prandaj edhe Bashën, t’i rikthehet komunistçe e populistçe “antikomunizmit”, është nevoja për të ashpërsuar me urgjencë konfliktin politik, tani që duket se ndodhemi në vigjilje të një fushate antikorrupsion. Nga të gjitha anët, nga BE-ja, SHBA-ja vijnë mesazhe për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe veçanërisht për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së qeveritarëve të korruptuar. Mbi të gjitha kjo është një kërkesë e shumicës së shqiptarëve dhe vota njëmilionëshe për rotacionin, është provë e kësaj aspirate. Por Berisha dhe vetë eksponentë të qeverisë së tij, nuk mund të mos ndihen të kërcënuar nga antikorrupsioni. Shkalla e lartë e korruptimit të Shqipërisë nën qeverisjen e tyre (sikundër dëshmoi edhe klasifikimi i fundit i Transparency International), i ka vënë ata në pozitë të vështirë. Prandaj duan ta antagonistizojnë situatën politike, në mënyrë që ndëshkimin e korrupsionit të tyre ta shesin si persekutim të opozitës politike, për shkak të gjoja konfliktit politik dhe rikthimit të diktaturës enveriane. Në funksion të kësaj taktike të dëshpëruar janë edhe klithmat për një gjueti të mundshme shtrigash në gjyqësor. I dalin në mbrojtje një gjyqësori të perceptuar si fort i korruptuar nga publiku, ish-qeveritarë si Lulzim Basha që i janë shmangur drejtësisë me anë të një proceduralizmi antidemokratik të çuar në perfeksion nga gjyqtarë të kapur prej tyre. E vërteta është se nuk shqetësohen se po dhunohet pavarësia e gjyqësorit, por për krejt të kundërtën! Kanë frikë se mos marrë fund skllavërimi prej tyre i pushtetit të drejtësisë. Mburoja e fundit e një korrupsioni, pa ndëshkimin e të cilit nuk do të ketë as integrim, as përparim dhe as liri e demokraci në Shqipëri.
Top Channel