Ilir YZEIRI – Helena Gjika që njihet edhe me pseudonimin letrar Dora d’Istria është një emër shumë i popullarizuar në Shqipëri. Por, në qoftë se do të kërkosh apo në qoftë se do të pyesësh se përse është kaq i njohur ky emër, vështirë se do të të përgjigjet njeri, ashtu siç mund të të përgjigjej për ndonjë tjetër figurë.
Ndërkaq, ka edhe një mendim që përflitet në rrethet e epërme të kulturës shqiptare se ajo është figura më e madhe e kulturës shqiptare e të gjitha kohërave, madje më shumë se kaq, ajo është një nga personalitetet më të mëdha europiane të shekullit XIX, e njohur në të gjitha kryeqytetet e kontinentit. Këtë mendim të fundit e kanë shpallur, të tjerët, të huajt, në sa e sa bibliografi e në shumë kremtime që janë bërë për Dora d’Istrian. Ndërkaq, nëse dikush të kërkon se çfarë e bën këtë personazh figurën më të madhe të kulturës shqiptare, rumune dhe europiane, ti e ke të vështirë të bindësh ndokënd, sepse në Shqipëri ajo është lënë krejtësisht në harresë dhe vepra e saj nuk është zbuluar ashtu siç e meriton. Te ne është botuar një monografi e Vehbi Balës në vitin 1970, e cila, megjithëse e ndërton jetën dhe veprën e saj në përgjithësi, në mënyrë korrekte, ndalet më shumë në veprimtarinë e saj patriotike, përkatësisht në atë pjesë të jetës së saj kur ajo, gjatë korrespondencave me De Radën kryesisht, u angazhua fort në çështjen shqiptare. Më tej, edhe Ahmet Kondo ka botuar një libër që i kushtohet tërësisht letërkëmbimit të saj me De Radën dhe në vitin 2002, shtëpia botuese që mban edhe emrin “Elena Gjika”, nën kujdesin e Donika Omarit dhe Drita Siliqit, botojnë librin “Rinia e një shqiptareje” (pjesë të zgjedhura). Ky tekst i marrë nga libri “Les femmes en Orient” (Gratë në Orient) është vetëm një pjesë e vogël e veprës së gjerë të kësaj princeshe. Po përse Helena Gjika apo Dora d’Istria është një nga personalitetet më të mëdha të Europës së shekullit XIX? Në fakt këtë përcaktim asaj ia kishin dhënë që në gjallje dhe menjëherë pas vdekjes autorë dhe dijetarë të shquar, francezë, italianë, austriakë, gjermanë, rumunë, grekë etj. Në jetën e saj ka disa episode që u shkojnë për shtat vetëm njerëzve të mëdhenj. Lindi në Bukuresht më 22 janar 1828. Rrjedh nga një familje princash me origjinë shqiptare që ajo e përmend në çdo rast, të cilët ishin larguar nga viset shqiptare që në shekullin XVII, por kjo është një temë më vete, të cilën ajo e trajton gjerësisht në librin e saj “Shqiptarët në Rumani”. Babai i saj Mihal Gjika ishte guvernator i Krajovës. U pagëzua nga Mitropoliti i Vllahisë. Mamaja e saj, Katerina, është e para femër rumune që kishte botuar në rumanisht një vepër artistike, një përkthim më saktë. Vetë Helena, në moshën 15-vjeçare përkthen nga greqishtja e vjetër “Iliadën”. Ishte e dhënë pas sportit sipas modelit të antikitetit. Ishte një notare e shkëlqyer dhe në këtë sport i kalonte dhe vëllezërit e saj. Biografët përmendin se në një rast, në vitin 1854, ajo shpëtoi mësuesen e motrës së saj, Sofisë, që, në një natë të errët, kishte rënë në lumin Nev pranë Moskës. Martohet në muajin shkurt 1849 me princin rus, Aleksandër Koltzolf, Massalsky që ishte pinjoll i familjes së carëve të Rusisë, jashtëzakonisht i pasur. Ajo vendoset në Shën Petërburg. Por i shoqi vdes dhe pas shtatë vjetësh, e braktis Petërburgun dhe vendos që të mos martohet kurrë. Tani ajo udhëton nëpër Europë dhe vendoset në Belgjikë, në Zvicër, në Itali, ndërmerr udhëtime kudo nëpër Europë dhe nis kështu karriera e një prej shkrimtareve, studiueseve dhe personaliteteve më të mëdha të Europës. Zotëronte nëntë gjuhë të huaja dhe kishte një kulturë të paimagjinueshme për kohën e saj, por edhe për kohën tonë. Kur ajo ishte vetëm 35 vjeçe, në Paris botohet një monografi kushtuar asaj me okelion “PROFILS CONTEMPORAINS – Mme LA COMTESSE DORA D’ISTRIA” (Profile bashkëkohore – Kontesha Dora d’Istria”, shkruar nga Armand Pommier dhe shoqëruar me një portret të shkëlqyer që është një gravurë angleze sipas Skiavonit që ndodhet në Venecia. Libri botohet në Paris, në shtëpinë botuese “L’ecrivain et tooubon”, Editeurs 5, rue du pont de Lodi, 5 1863. Ndërkaq, një tjetër dijetar i shquar i kohës, Bartolemeo Cecchetti, pasi ka përkthyer në italisht veprën e saj “Gli Albanesi in Rumenia” (Shqiptarët në Rumani), harton një parathënie dhe të parën bibliografi të veprave të saj të ndarë sipas tematikave. Jemi në vitin 1873. Dora D’Istria ishte 45 vjeçe dhe vini re se çfarë kishte botuar. Kjo bibliografi që autori boton në këtë libër publikohet për herë të pestë dhe ai e ndan në këta krerë: pjesa e parë – Histori letrare – ku përfshihen veprat e saj: Literatura rumune dhe ato për nacionalitetin shqiptar, rumun, serb, bullgar, grek sipas këngëve popullore, por edhe studimi për poezinë popullore të magjarëve (hungarezëve) dhe të turqve orientalë. Në sythin e tretë të kësaj pjese përfshihen studimet indiane – epopeja indiane, vdekja e mbretit Dasarata, epopeja persiane. Më tej një studim për shkrimtarët shqiptarë të Italisë mesdhetare, pastaj letërsia rumune, historianët e letërsisë gjermane apo një tjetër studim me titullin “Marco Polo, Kristofor Kolomboja i Azisë”. Në pjesën e dytë përfshihen studimet e saj religjioze si “Jeta e manastireve në Kishën e Lindjes”, “Rumania dhe kisha ortodokse”, “Rumania dhe Papati”, “Letër për një filozof të Athinës”. “Zoological Mythology”, botuar në SHBA, pjesa e tretë janë veprat më çështje shoqërore ku dallohet sidomos “Des femmes par une femme” (Gratë e vështruara nga një grua – I.Y.), që ajo e botoi në Paris dhe Bruksel njëkohësisht dhe që u përkthye edhe në rusisht dhe në italisht me një apendiks thotë Ceccheti të prof. C.F. Cabba me titullin “La questione feminile e la principessa Dora D’Istria” (Çështja e femrës dhe princesha Dora d’Istria), duke vijuar me “The woman question in Austria” (Çështja e gruas në Austri) e duke vijuar me “Les femmes fortes”, (Gratë e forta) në Messager franco-americain (New York, 6 mars 1871 apo “The woman question in Germany” (Çështja e gruas në Gjermani). E vijojnë më tej veprat që bibliografi i shquar i ka përfshirë në një syth tjetër në atë me titull -Polemika kundër luftës. Pastaj janë pjesët e tjera, e katërta që përfshin studimet e saj për ekonominë politike dhe agrikulturën, e pesta që merret me çështje artistike, e gjashta me ato politike, e shtata me historinë, e teta me udhëtimet, e nënta përfshin romanet dhe e dhjeta përfshin jetën orientale. Secila nga këto pjesë ka mbi dhjetë apo më shumë studime apo libra. Dhe në fund të kësaj paraqitjeje bibliografike, Ceccheti që ishte edhe sekretar i Arkivave të Venedikut shkruan se duhet të kujtojmë gjithashtu edhe bibliografët e tjerë që janë marrë me “autoren e shquar”(illustre Autrice, siç e quan ai) dhe që numërojnë shumë e shumë punime të saj dhe ai përmend Brikhausin i cili në veprën e tij “Conversations Lexikon”, ka një zë të veçantë me emrin Dora d’Istria(Leipzig, XI, ediz.), Vapereau, “Dictionnaire des contemporains”, (Paris, le 4e edizioni ; articoli Ghika e Dora d’Istria). Do të duheshin faqe e faqe të tëra për të përmendur bibliografinë e saj dhe veprat e saj gjithashtu. Po le të ndjekim sadopak paraqitjen që i bën Pommier në monografinë që cituam më sipër. Pasi u largua nga Petërburgu ajo vendoset në Zvicër dhe boton këtu një vepër të famshme “La Suisse allemande et l’ascension du Münch” (Zvicra gjermane dhe prejardhja e saj nga Monako). Udhëton në Greqi dhe aty pritet me entuziazëm të madh. Të gjithë duartrokisnin autoren e veprës “Kombësia helenike sipas këngëve popullore”. Më 23 maj 1860 merr diplomën e Akademisë Helenike. Ishte një gjë e rrallë. Vetëm Katerina e Rusisë kishte vend në Akademinë e Berlinit thotë Pommier. Udhëton në zonat rurale të Greqisë dhe pas kësaj boton veprën “Les excursions en Rumelie et en Moré“ (Udhëtim në Rumeli e në More). Që andej hidhet ne Itali dhe Garibaldi e përshëndet si një motër heroike. Letra që ai i shkruan asaj nga Caprera u rimor nga gjithë shtypi i kohës. Kjo femër i kishte të gjitha vijon Pommier. Fëmijëri të bekuar, rini të mrekullueshme. Dinte gjithçka dhe kuptonte çdo gjë. Kishte përfunduar studime historike të konsiderueshme që dalloheshin për kulturën e thellë. Ishte studiuese e nivelit të lartë të arteve të bukura. Kishte kompozuar tablo të cilat pasi ishin pranuar në ekspozitën e vitit 1854, në Petërburg, e vlerësuan atë me medaljen e argjendtë të Akademisë Perandorake të Petërburgut. Nëntë gjuhë i përdor rregullisht dhe ajo është në themel të çdo dijeje; ajo ndriçon gjithçka që prek dhe shpalos përshtypjet e saj me një frazë të kulluar. Një tjetër biograf i saj, Enrico Panzacchi, thotë se historia do ta vendosë atë në radhën e figurave më të ndritshme të epokës sonë. Vendi i saj ndodhet në krah në mos më lart se ai i Zhorzh Sandit në Francë dhe konteshës Agoult. Helena Gjika është padyshim një nga personalitetet më të mëdha të Europës së shekullit XIX për disa arsye. Ajo ishte e para që zgjoi vetëdijen e Europës së Lindjes dhe sidomos të asaj kristiane të Lindjes për t’i bërë të gatshëm që të ndërtonin kombet e tyre dhe të shkëputeshin nga zgjedha otomane. Me njohuritë e pamasa që kishte ajo frymëzohej nga parimi që Perëndimi duhet ta pranojë Lindjen dhe Lindja do të reformohet e modernizohet kur të oksidentalizohet. Duke gjurmuar traditat, mitet dhe kulturën e gjithë globit, që nga India, Irani, Persia pastaj Rusia, Gjermania e gjithë Perëndimi, duke mos harruar vendet e Ballkanit, ajo dëshmon me fakte historike fryt i një kulture të paimagjinueshme se Perëndimi dhe Lindja janë një në thelb, se njeriu i Lindjes apo ai i Perëndimit janë larguar apo afruar nga progresi herë njëri më shumë e herë tjetri. Ndërsa sot thotë ajo Lindja ka nevojë për Perëndimin dhe të dyja bashkë kanë nevojë për prakticitetin nordik. Dora d’Istria ishte ndërmjetësja e Perëndimit në Lindje. Vizioni që kishte ajo për botën po realizohet vetëm sot. Të gjithë thonë se i janë asaj borxhlie për ndihmesën që ka dhënë në kulturat e tyre. Italianët, gjermanët, zviceranët, francezët që e pranuan anëtare të Shoqatës së Gjeografëve të Botës. E para femër në këtë organizim. Për të mos folur pastaj për vendet e Ballkanit, për Rumaninë e Greqinë e doemos për Shqipërinë. Në fund të jetës ajo iu kushtua tërësisht çështjes shqiptare dhe bashkëbisedimi i saj me De Radën është një kapitull më vete. Mirëpo, në kufijtë e një shkrimi si ky dhe tani që muaji nëntor i Pavarësisë kaloi, ky shkrim i shkurtër është thjesht një homazh i vonuar për këtë princeshë që nuk e njohim sa duhet. Jam i lumtur se tani e në vijim Dora d’Istria do të bëhet motiv i punës sime në fushë të letrave. Dhe e di se do të duhen vite të tëra që ta njohësh këtë princeshë të harruar.
Top Channel