Grafitet në veri të Mtrovicës tregojnë më së miri urrejtjen që strukturat serbe kanë ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë.

Persona të maskuar, të cilët hedhin bomba në drejtim të EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës të vizatuar në muret e qytetit, janë pjesë e fushatës serbe kundër shtetit të Kosovës.

Liria e lëvizjes për qytetarët e kësaj zone është e cunguar dhe barrikada mbi lumin Ibër e priti edhe dimrin e dytë. Pak kush do të mendonte se është ky ambient ku asnjë ligj pothuaj nuk ekziston, në të cilin ndërkombëtarët provojnë të vendosin drejtësinë.

Larg syve të publikut, me përcjellje të policisë të secilit që duhet të jetë i pranishëm në një proces gjyqësor, EULEX-i është duke i proçeduar disa gjykime pikërisht në gjykatën themelore në veriun e Mitrovicës.

E ndonëse në gjykatën themelore prania e prokurorëve dhe gjyqtarëve vendorë është e domodsoshme, ata nuk kanë qasje në të. Situata e sigurisë ka bërë që qysh pas shpalljes së pavarësisë vendorët të punojnë ndaras në një objekt në qytetin e Vushtrrisë.

Kjo situatë vazhdon edhe sot, pavarësisht se prokurorët dhe gjyqtarët vendorë kanë kërkuar që të jenë prezent në gjykime. Në situatë më të mirë nuk janë as avokatët e të akuzuarëve, të cilët në çdo seancë detyrohen të shkojnë në gjykatë me përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Po kështu, edhe gazetarët. Kur EULEX-i i fton në një konferencë shtypi në veri siguron edhe transportin policor për ta. Dhe nëse gjatë pauzave del jashtë objektit, për arsye sigurie një shqiptar nuk guxon të flasë në gjuhën e tij.

Më e vështirë kjo është për familjarët e të akuzuarve të cilët detyrohen të gjejnë mënyrat e tyre për të ndjekur gjykimin e familjarëve.

Në këtë situatë veriu nuk mund të ofrojë një gjykim transparent, vlerëson analisti kosovar Naim Rashiti. Ndonëse sipas tij ana pozitive e gjithë kësaj është se EULEX-i e ka ruajtur pothuajse dhunshëm juridiksionin e gjykatës.

Sfiduese pritet të jetë zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, pika dhjetë e të cilës flet për gjykatat. Rashiti kujton që serbët  kërkojnë që juridiksioni i veriut të ndahet nga jugu.

Gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë nuk mund të shkonin në këtë gjykatë që pas ngjarjeve të muajve shkurt dhe mars të vitit 2008. Edhe sot gjykata e Mitrovicës administrohet nga personeli i EULEX-it.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë kujdesur që edhe në këtë aspekt t’i qetësojnë serbët duke ua mundësuar që gjykata e apelit në Prishtinë të themelojë një panel të përbërë me shumicë serbe të Kosovës, për të gjykuar të gjitha rastet në komunat me shumicë serbe.

Sipas marrëveshjes, një divizon i gjykatës së apelit, i përbërë kryesisht nga gjyqtarë serbë, do të vendoset në mënyrë të përhershme në veri të Mitrovicës në gjykatën themelore.

Top Channel