Alarmi i ‘Fiks Fare’ dhe bomba ‘kimike’ e korrupsionit

30/11/2013 00:00

Andrea Stefani – Ajo që sapo ka denoncuar emisioni “Fiks Fare” mbi
korrupsionin në gjyqësor është fare fiks. Gjërat kanë shkuar shumë larg.
Shteti shqiptar po kalbet nga korrupsioni që, i pandëshkuar për 23
vjet, është kapilarëzuar në të gjithë piramidën e tij.

Pak kohë më parë, shqiptarët u mbisensibilizuan për rrezikun hipotetik të zbërthimit të disa lëndëve kimike. Të alarmuar sikur në Shqipëri do shpërthente “Hiroshima” dhe të ndërsyer edhe nga opozita politike, ata dolën në rrugë në protesta masive duke e detyruar Kryeministrin Rama t’i thotë “jo” një kërkese të SHBA. Jo pak zëra e komentuan një reagim të tillë si zgjim të shoqërisë civile. Tani është momenti të pyesim: A do të reagojë kjo shoqëri civile edhe tani kur, me zë dhe me figurë, kanë dëgjuar dhe parë mekanizmin e ryshfetit që e ka deformuar llahtarshëm pushtetin e drejtësisë në pushtet të korrupsionit dhe padrejtësisë?

***

Pas denoncimit të “Fiks Fare”, çdo shqiptar që e nxjerr bukën e fëmijëve me djersë, duhet ta kuptojë më thellë se kurrë më parë, se përse media ka ngritur kohë pas kohe alarmin mbi korruptimin e drejtësisë, pse nga Bashkimi Europian këmbëngulet që integrimi duhet të jetë i lidhur ngushtë me antikorrupsionin. Duhet të kuptojë se korrupsioni është edhe më i rrezikshëm se një demontim armësh kimike. Prandaj duhet të ngrihet. Sepse avujt e korrupsionit helmojnë dhe dehin në çdo sekondë, minutë, orë dhe ditë të vitit, trutë e të gjithëve, nga qeveritarët e deri tek qytetari më i thjeshtë. Është si një reaksion zinxhir bërthamor që çon në kontaminimin dhe rrënimin e shtetit. Ky i fundit krijohet si një marrëveshje mes njerëzve për të mbrojtur jetën, pronën dhe lumturinë e tyre. Ndaj nuk ka kuptim pa drejtësinë. Korrupsioni, duke vrarë drejtësinë, bën që besimi te shteti të venitet dhe vendin e tij ta zërë gjendja natyrore e kacafytjes së të gjithëve me të gjithë. Edhe pse nën guaskën e shtetit. Në mungesë të ndëshkimit, korrupsioni fiton një aftësi të jashtëzakonshme infektuese. Zyrtari i lartë publik (president, kryeministër, ministër apo drejtor) joshet nga fakti që kolegu po bën pasuri pa i hyrë gjemb në këmbë. Dhe ndjek shembullin e tij. Jeta luksoze, apartamentet e shtrenjta, vilat, makinat super të shtrenjta të zyrtarëve më të lartë të shtetit, ngjallin xhelozinë dhe, bashkë me mitin e pandëshkueshmërisë, inkurajojnë të gjithë piramidën e nëpunësve publikë të përfshihet, në një formë apo në një tjetër, në fitime korruptive. Pse budallenj jemi ne? – bëhet motoja dhe justifikimi i gjithkujt. Dhe infektimi nuk ndalet. Ndershmëria dhe respektimi i ligjit përqeshen si budallallëk ndërsa pandershmëria fitimprurëse nderohet si “shkathtësi”. Reja e korrupsionit nis të përhapet si një epidemi në masën e njerëzve të thjeshtë. Vitrina e korrupsionit qeveritar, bëhet justifikimi moral i përfshirjes së mijëra të tjerëve në lloj-lloj biznesesh të pista e kriminale, nga mbjellja e trafikimi i drogës e deri te vjedhjet e grabitjet e pronës së tjetrit. Kur ata që janë lart vjedhin e pasurohen, po ne pse jo? Këtë thotë trafikanti, këtë thotë edhe ai që në pamundësi të një pune, mbijeton vetëm në sajë të paligjshmërisë. Ky është justifikimi “moral” edhe i “Republikës së Lazaratit”. Korrupsioni nxit krimin. Dhe kur qëllon që dikush nga të inkriminuarit përfundon prapa hekurave, është po korrupsioni që i bëhet krah për t’i ikur drejtësisë. Ai nis e dorovit gjyqtarët që pasurohen jo me anë të zbatimit të ligjit duke dhënë drejtësi, por duke e keqpërdorur ligjin për të dhënë padrejtësi. Deformimi që sjell korrupsioni arrin kulmin: ligji dhe gjykatësit vihen në lëvizje jo për të ndëshkuar, por për të mbrojtur kriminelët! Kjo është shëmtia, gjymtimi, shpërfytyrimi i drejtësisë që sapo ka denoncuar “Fiks Fare”, një deformim që duhet ta bëjë të dridhet çdo prind, çdo shqiptar se çfarë përbindëshi është krijuar në këto 20 e kusur vjet. Në gojën e këtij përbindëshi do “hedhë valle” jeta e fëmijëve tanë, e ardhmja e Atdheut? Helmimi nga korrupsioni është ku e ku më vrasës, ku e ku më afatgjatë se pasojat e çdo aksidenti fatkeq në demontimin e 1 mijë tonë lëndëve kimike. Prandaj pyesim: Shoqëri civile ku je?!

***

Kryetari i Gjykatës së Lartë deklaroi se nuk ka lidhje me sekserët që në përgjimin e “Fiks Fare” përmendin atë dhe kolegët e tij të gjykatës, si destinacion i një ryshfeti 6 mijë eurosh. Është e drejtë e tij por megjithatë, është shumë pak. Moralisht Zaganjori duhet të japë dorëheqjen që ta bëjë më të lehtë për prokurorinë nisjen e hetimit për aferën e ryshfetit në fjalë. Thonë se Papa dha dorëheqjen i pizmosur nga korrupsioni në Vatikan. Pse të mos veprojë kështu një kryetar gjykate, institucioni i të cilit është tashmë i dyshuar më fort se kurrë për korrupsion? Moralisht, dorëheqje duhet të bëjnë në fakt edhe kolegët e tij. Mjaft më me zyrtarë e gjykatës të paprekshëm! Ata duhet të përballen me ligjin dhe të faktojnë që janë të pafajshëm. Prokuroria duhet të nisë hetimet kryesisht për këtë skandal. Nëse faktohet çka raportohet në investigimin e “Fiks Fare”, gjyqtarët duhet të shkojnë para drejtësisë. Nëse kjo e gjitha është një lojë e kurdisur për t’i njollosur ata, gjithkush i përfshirë në një skenar të tillë duhet të përgjigjet ligjërisht. Por ky skandal nuk mund të mbyllet më pa fajtorë.

***

Kur është fjala për korrupsionin është zyrtari i dyshuar apo i kritikuar që ka barrën të provojë pastërtinë e tij. Por edhe në këtë rrafsh ndeshim në truall të kalbur nga korrupsioni. Po për shkak të tij, verifikimi i pasurive është shndërruar në një rutinë qesharake. Deklarimi nuk është më transparencë e pasurive të zyrtarëve për të luftuar korrupsionin por, në fakt, një lavatriçe e pasurive të paligjshme. Çdo zyrtar publik ka mësuar, nga përvoja e këtyre dy dekadave, se mjeti më i mirë për të pastruar pasuritë e vëna me korrupsion, është t’i deklarojë ato! Është paradoksi i kalbëzimit të sistemit antikorrupsion nga korrupsioni. Peizazhi i këtij paradoksi është ky: Një Shqipëri tejet e korruptuar, me qeveritarë e zyrtarë publikë të pasuruar edhe qindra herë më shumë se sa do lejonin të ardhurat e tyre të ligjshme e ku megjithatë, askush prej tyre nuk rezulton i korruptuar. Ata mbeten politikanë patriotë edhe kur ndërtojnë “Rrugën e Kombit” me dyfishin e kostos së nevojshme duke bërë t’i kërcasin brinjët, edhe sot e kësaj dite, buxhetit të shtetit më të varfër të Europës. Pjesa e dukshme e këtij ajsbergu korruptiv, vila, apartamente, makina e veshje super të shtrenjta, rrëzëllejnë në sfondin e errët të mjerimit social që vetë korrupsioni shkakton me diferencimin e skajshëm pasuror që mbjell. E megjithatë askush nuk rezulton i korruptuar! Atëherë, kush i vjedh miliardat nga buxheti publik? Pse Shqipëria është një shtet tejet i korruptuar? Mbreti i korrupsionit bredh lakuriq – por askush nuk guxon ta denoncojë lakuriqësinë e tij korruptive.

***

I pandëshkuar, korrupsioni shndërrohet në një ortek që rrënon godinën e moralit, ligjit dhe shtetit. Ky rrënim po ndodh. Ja ku kemi arritur: zyrtarë publikë, gjykatës të ngarkuar nga publiku për të vënë drejtësi dhe për të ndëshkuar korrupsionin, bëhen misionarë të padrejtësisë dhe korrupsionit! Pas një autokratizmi absolut që ka gjeneruar një korruptim absolut, kalbëzimi i shtetit shfaqet ekstrem. Që ai të ndalet duhet ngritur një tjetër ortek, ai i shoqërisë civile me pjesën e shëndetshme të politikës dhe institucioneve, për rilindjen e drejtësisë. Detyrë e vështirë. Sepse një ndër hapat që ndërmori Berisha, kur mbi 8 vjet më parë u rikthye në pushtet, ishte likuidimi i të gjithë organizatave antikorrupsion të shoqërisë civile. Mos na duhet një EULEX për antikorrupsion në Shqipëri? Gangrenizimi i thellë, i faktuar edhe nga “Fiks Fare”, na jep të drejtë ta ringremë këtë opsion shpëtimi. Ndërkaq shoqëria civile, nëse ekziston, duhet të bëjë përpjekjen e saj. Si në rastin e armëve kimike. Politika gjithashtu. Shteti, qytetarët duhet ta gjejnë zgjidhjen për krijimin e një fronti antikorrupsion dhe për të shpëtuar veten dhe Shqipërinë nga helmi i korrupsionit që po na mbyt.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA