SHBA, përgjaket e Premtja e Zezë

29/11/2013 22:00

Akte të shumta dhune kanë karakterizuar të Premten e Zezë, siç njihet ndryshe dita e uljes së çmimeve në qendrat tregtare në Shtetet e Bashkuara.

Në Çikago policia qëlloi një hajdut, ndërsa në Las Vegas një hajdut qëlloi një shitës me pistoletë. Ndërkohë, në Kaliforni një agjent policie mbeti i plagosur me thikë në një sherr.

E Premtja e Zezë, që vjen një ditë pas Ditës së Falenderimit, është dita më e madhe e pazarit në Amerikë, që mbahet një herë në vit.

Të paktën 12 zinxhire kombëtare dyqanesh hapën dyert në mbarë Shtetet e Bashkuara, pasi kishin paralajmëruar një ulje agresive të çmimeve.

Rreth 15 mijë blerës vërshuan në dyqanin “Macy’s” në Nju Jork kur ai hapi dyert. “Kjo është çmenduri. Ka kaq shumë njerëz këtu, nuk sheh dot asgjë nga ato që janë në shitje”, tha turisti brazilian Luis Figueiro për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara u regjistruar incidente gjatë shitjeve, aq sa disa ekspertë të tregut e quajtën Falenderimi i Zi, ose e Marta Gri. Sipas Federatës Kombëtare të Shitjeve, në të marrin pjesë rreth 97 milionë amerikanë.

Top Channel