Një histori “Fiks” nga ‘Fiks Fare’

28/11/2013 00:00

Aleksander Cipa – Raportimi serial investigues prej reporterëve të
emisionit të njohur Fiks Fare në Top Channel, qysh një ditë më parë, ia
ka dalë të shkaktojë stuhinë më të madhe të reagimit dhe të pranimit të
thellësisë dhe gjithështrirjes së korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Ky investigim, sipas të gjitha gjasave dhe ecurisë së paralajmëruar për transmetim të mëtejshëm, përbën kazusin e parë kaq tronditës dhe kaq pasqyrues për korrupsionin dhe aferat shumëpërfshirëse brenda gjyqësorit, organeve vendore të akuzës dhe niveleve të ndryshme të përfaqësimit në strukturat e këtij sistemi. Kjo është puna më e guximshme që është realizuar gjer më tash nga reporterë të emisionit më popullor investigativ në mediat shqiptare.

Rasti në fjalë nuk mbart vetëm guximin, ai përfaqëson “kampionin” e plotë për të verifikuar faktologjikisht dimensionin dhe shtrirjen e korrupsionit si kapës absolut i sistemit të drejtësisë në këtë vend. Një serial i tillë vlen sa për gjithë investimet e realizuara në 10 vjetët e fundit prej donatorëve dhe partnerëve antikorrupison në këtë vend. Kjo është një histori e rrëfyer dhe e pasqyruar guximshëm përmes flagrancës së protagonistëve dhe personazheve realë që kanë marrë pjesë kapitull më kapitull në subjektin që nis nga gjykata vendore e Pukës dhe ngjitet në nivelet e tjera të gjyqësorit. Emra konkretë, sekserë realë dhe imazhet reale të nxjerra në sytë e publikut, me “zë dhe figurë”. Kjo është fiks një histori e pazhbëshme për të dëshmuar anatominë e plotë të korrupsionit dhe rrjetit të tij në gjithë sistemin. Ky serial investigativ do të mbetet gjatë si një kazus real për arritjet e tanishme dhe të ardhme të gazetarisë investigative në mediat shqiptare. Kjo prurje kurajoze shënon edhe kazusin e parë të plotë, të një përballjeje të tillë kaq të guximshme, mes pushtetit mediatik dhe pushtetit fatalisht të gjithëpranuar si uzurpant i drejtësisë në Shqipërinë e forcës mjerane ligjore, që e ka emrin korrupsion.

Episodet e para janë tronditëse jo thjesht se paraqesin një kalvar të pjesëtarëve të një familjeje që janë prangosur dhe se si kanë vijuar etapë pas etape mitdhënieje të kërkojnë lirinë me çmimin e paracaktuar nga personazhet sekserë, prokurorë, policë gjyqësorë, gjykatës dhe të tjerë në nivelet më sipërore të gjyqësorit. Një cikël i plotë mitdhënieje, për të ndjekur një proces gjyqësor, në të cilin ingranohen si në zinxhir hallkat, nga gjykatësi i Faktit, tek ai i Apelit dhe më sipër. Kjo është shumëkatëshja gjykatore e çmimit mitdhënës e mitmarrës për të fituar apo përfunduar një familje kalvarin ose odisenë gjyqpaguese të saj. Ky subjekt serial që vjen përmes emisionit që drejton Filip Çakuli, jo vetëm ka tronditur, por ka imponuar instinktin e menjëhershëm reagues të Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për herë të parë, sapo ka përfunduar vetëm një raportim i parë i një investigimi dhe ndërsa janë lajmëruar episode të reja edhe më tronditëse dhe më demaskuese, institucionet e larta të drejtësisë shqiptare kanë nisur urgjent reagimet. Deri ku do të shkojë ky reagim? Çfarë sjell në vetvete ky kazus i sapokrijuar prej kanalit më të guximshëm televiziv në vend? Sa dhe si do të vijojë procesi i ndëshkimit dhe ai i reflektimit ligjor për korrupsionin e provuar dhe jo vetëm të konstatuar në sistemin e drejtësisë së kapur të këtij vendi? Këto janë vetëm disa prej pyetjeve të mbajtura në pezull përgjatë gjithë tranzicionit 24-vjeçar nga qeverisës të shkuar e të ardhur të këtij vendi. Por kazuzi i sjellë prej emisionit të Filip Çakulit, ka forcën e pandalshmërisë dhe të ndëshkimit të pamjaftueshëm. Ky kazus imponon një nismë dhe sipërmarrje të re ligjore dhe institucionale. Ky kazus i investiguar, vlen për një premisë të re antikorrupsion brenda sistemit dhe në raport me realitetin. Ky rast ka thyer mitin e së thënës prej Xhovani Sartorit se shpesh: “publiku nuk di se ç’bëhet me publiken”. Kësaj here, media ka shpallur konkretisht dëshminë e një vuajtjeje, e cila është pranuar si fat i pazhbëshëm i marrëdhënies sonë me gjykatat e korruptuara. Fiks Fare ka mbërritur fiks te një histori me shumë akte dhe subjekt të plotë korrupsioni. Për këtë arsye transmetimi i plotë dhe deri në epilog i kësaj historie seriale, mbart jo vetëm vlerën e së plotës, por kurajën e parë të pacenuar për një tronditje të ngrehinës së ndërgjegjes së molepsur e të zezë të drejtësisë dhe skotës së madhe të njerëzve brenda saj. Pas këtij seriali na duhet shembja e plotë, jo vetëm subjekti i gjithë historisë që ka ndjekur me mund, durim dhe kurajë Fiksi dhe drejtuesi i tij, Filipi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA