Gazetaria investigative në Shqipëri

26/11/2013 00:00

“Të bësh gazetari investigative, në mënyrë figurative do të thotë të kapësh mat dikë me pantallona ulur”.

Kështu e përcaktoi vite më parë investigimin gazetari i famshëm amerikan Robert Scheer, pjesë e një gazetarie me baza të forta hulumtimi dhe zbulimi skandalesh.

Po në Shqipëri, në çfarë gjendjeje ndodhet gazetaria investigative? Edhe pse në raportet ndërkombëtare të viteve të fundit vendi ynë është konsideruar me një nivel të lartë korrupsioni, pasqyrimi në media rezulton të ketë qenë i cunguar ose edhe në rastet kur janë pasqyruar veprimtari korruptive ose të jashtëligjshme kanë munguar detajet e gazetarisë investigative.

Në sondazhet e bëra herë pas here, gazetarët kanë deklaruar se mungesa e një gazetarie të mirëfilltë hulumtuese lidhet me shumë faktore, si kufizimi i hapësirave redaksionale dhe editoriale, ngarkesa e punës së përditshme apo dhe mungesa e resurseve financiare për të bërë një hulumtim i cili shpeshherë ka kosto të konsiderueshme. Rreziku që u kanoset gazetarëve apo dhe kërcënimi nga subjektet e “shënjestruara” shikohet gjithashtu si një problem madhor.

Por, edhe pse një zhanër relativisht i ri, gazetaria investigative është e pranishme në median shqiptare. Emisioni investigativ “Fiks Fare”, i cili nderthuret edhe me satirën, është i pari i këtij lloji në vendin tonë. Përgjatë viteve, “Fiks Fare” mban firmën e zbulimit të një sërë skandalesh. Ndërsa në median e shkruar shkrimet investigative mbeten thuajse sporadike.

Cmimet për gazetarinë investigative

OSBE-ja ka dhënë tre çmime për gazetarinë investigative në Shqipëri. Megjithëse një sektor jo shumë i zhvilluar në media, gazetaria investigative ka të apasionuarit e saj.

Çmimin e parë e mori gazetarja e emisionit “Fiks Fare”, Juliana Ristani, për kronikën lidhur me vështirësitë e shërbimit të përmbarimit dhe mungesën e mbështetjes së policisë. Me çmim të dytë u vlerësua gazetari Dashamir Biçaku për shkrimin mbi tre shqiptarë të vrarë në luftën e Sirisë, të rekrutuar mbi argumentimin se në Siri zhvillohet një luftë e shenjtë.

Ndërkohë, çmimi i tretë shkoi për gazetarin Gjergj Thanasi me shkrimin për trafikun e armëve mes Shqipërisë dhe Iranit.

Gjatë tryezës me temë “Sfidat dhe e ardhmja e gazetarisë investigative në Shqipëri”, u diskutua për gazetarinë investigative, ku morën pjesë mbi 30 gazetarë që punojnë në këtë fushë. Në takim, gazetarë dhe analistë të medias diskutuan për sfidat dhe problemet që po has sot gazetaria investigative në vendin tonë lidhur me presionet e ndryshme nga jashtë, mungesën e aksesit të informacionit zyrtar apo të dokumenteve zyrtare nga institucionet shtetërore.

Duke vënë theksin në zhvillimin e gazetarisë investigative në media, Ambasadori i OSBE-së Florian Raunig tha se media është “rojtarja” e demokracisë, ndërkohë që gaztaria investigative është syri dhe veshi i kësaj rojtareje.

Top Channel