Në fushatën elektorale që parapriu ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, shthurja e rendit publik u konsiderua si një ndër problemet më madhore në vend.
Lideri i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri i sotëm, zoti Edi Rama, e konsideroi situatën si të papranueshme, duke parë një përgjegjësi direkte të qeverisë së atëhershme në atë gjendjen e rëndë të sigurisë në vend.
Së bashku me një platformë të re për policinë dhe reformat e premtuara, Rama shpalli atëherë një listë veprimi të 100 ditëve të para, e pikërisht për këta tre muaj të parë në detyrë, në emisionin e përjavshëm të Rudina Xhungës, në “Shqip”, mbërriti i ftuar Ministri i Brendshëm, zoti Sajmir Tahiri.
Arratisja nga burgu i Drenovës
Në mënyrë të natyrshme, biseda në studion e Xhungës nisi me ngjarjen më aktuale të momentit, atë të arratisjes masive nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës të shtatë të burgosurve të konsideruar si shumë të rrezikshëm. “Ishte një ngjarje që nga përmasat kishte një dozë të fortë kritike, por që unë besoj arritëm me shumë sukses të ndërtonim një aksion masiv policor. Ishte një sprovë për policinë, ashtu edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional. Jemi ende në kërkim të të arratisurve të tjerë të mbetur, shpresojmë që të shkojë mirë aksioni policisë. Kemi informacione që nuk mund t’i ndaj për momentin me publikun. Është pa dyshim një ngjarje që ka nevojë për analizë gjithë zinxhirin e përgjegjësive shtetërore. Një ndër organizatorët e jashtëm të kësaj ngjarje është liruar nga gjykata disa ditë më parë edhe pse i vuri eksploziv një efektivi të policisë në Kombinat, ndërsa policia e kishte paralajmëruar këtë ngjarje. Në të njëjtën kohë, veç operacionit për kapjen e të arratisurve duhet të mendojmë të gjithë bashkë si ta bëjmë sistemin më të sigurt, që burgjet të mos jenë luks dhe fole kriminaliteti, teksa jeta e qytetarëve të bëhet edhe më e sigurt”, deklaroi ministri Tahiri në nisjen e këtij emisioni.
Kritikat e opozitës pas arritjes masive
“Opozita ka kontributin e saj në këtë rast e ky s’mund të jetë rasti që mund të ndajë pushtetin me opozitën, por rasti që duhet të bashkojë polikën në funksion të sigurisë së qytetarëve. Nuk mendoj se ish-ministri i Drejtësisë ka vend të pretendojë se shteti sot është më inefiçent seç ishte kur ata ishin në karrige. Ka raste plot që s’dua t’i marr kohën qytetarëve, por mjafton fakti që ish-ministri i Drejtësisë, kur ishte në detyrë, këta dhe të tjerë janë arratisur shumë herë nga burgu e strukturat e policisë kanë qenë shumë më pak efektive se kaq. Ne bëmë të mundur me një aksion spektakolar për nga përmasat, e gjej rastin të falenderoj efektivët e policisë, që u përgjigjën në kohë rekord, ndonëse u lanë nga pushtetarët e djeshëm në mëshirë të fatit nga pikëpamja logjistike e materiale. Policia bëri një punë të shkëlqyer për kapjen e tyre dhe jemi në mes të punës për kapjen tre të burgosurve ende në arrati”.
Kontrolli i territorit
A ushtron sot Policia e Shtetit një kontroll të plotë mbi territorin? Kësaj pyetje, ministri Tahiri iu përgjigj: “Jemi në fazën që ristrukturimi i policisë po na jep më shumë kontroll mbi territorin. Me demek, për opozitën ajo që bëme ne ishte ngjallja e panikut kur thamë bëni kujdes, por më duket normale që kur kemi shtatë të arratisur të armatosur të lajmërohen qytetarët që të bëjnë kujdes, por edhe të na ndihmojnë që t’i kapim. Normale të ndodhë pasi nuk është ngjallje paniku kur ambasadat e huaja njoftojnë qytetarët e huaj në Shqipëri për një protestë edhe më të papërfillshme. Siguria publike është një ndërveprim edhe me qytetarët”.
Aksidentet rrugore
“Situatë vërtetë alarmante dhe shkon përtej shqetësimit normal për çështje të tjera. Rrugët në vendin tonë janë shumëçka, por vetëm të sigurta jo”, nisi shpjegimin e tij Tahiri. “Vetëm, prapë them se duhet të ulemi të ndalemi një sekondë të gjithë të mendojmë si ta ndërtojmë sigurinë rrugore dhe ata njerëz që e kanë mbështetur ndërtimin e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve në punën që duhet të bëjë Policia e Shtetit e kanë gabim. Siguria rrugore nuk është sfidë e parë e policisë. Në radhë të parë është edukimi i qytertarëve në rrugë, siç ka shumë gjëra që kanë të bëjnë me segmente të qeverisjes që është standarti i rrugëve që është shumë larg niveleve të kërkuara, siç ka probleme të mëdha me sistemin penalizues në lidhje me shkelësit e rregullave të qarkullimit, që fillojnë nga policia e deri tek sistemi gjyqësor. Sapo kemi filluar penalizimet ekstreme, arrest me burg ndaj atyre që ngasin mjetin pa patentë dhe të dehur. Më vjen keq që janë rreth 200 raste deri tani, por në analizën tonë paraprake dhe për këtë do i drejtohem KLD-së se gjyqtarët kanë një sjellje tolerante ndaj shkelësve, duke e bërë të lehtë të mos ndihet pesha e penalizimit kur je i dehur dhe drejton një mjet, duke u shndërruar në një armë për të tjerët. i gjithë sistemi nuk funksionon si duhet, por i kërkoj qytetarëve të bëjnë kujdes për jetën dhe familjen e tyre në radhë të parë”.
Aksidenti tragjik i Sokol Olldashit
“Është një ngjarje fatkeqe dhe tragjike. Mua më ra barra ta merrja vesh ndër të parët e të bëja njoftimet e rastit, edhe me kryeministrin bisedova, me kryetarin e Kuvendit, kryetarin e opozitës, grupet parlamentare dhe kisha shpresë deri në fund që të ishim gabim në konstatimin tonë, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Më vjen keq dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes. Ishte tërësisht e papritur, e pamenduar dhe e pamerituar, megjithatë jemi në fazë hetimore e shpresoj që të zbardhim sa më shpejt atë që ka ndodhur, bashkë me Prokurorinë. Përtej thashemnajës mediatike lidhur me aksidentet, nuk dua as t’i hyj, mendoj se policia u soll në mënyrë profesionale. Midis një kodi etike të heshtur dhe zbatimi i transparencës, kemi zgjedhur të dytin”.
Largimet krahinore në polici
Një ndjekës i emisionit, nëpërmjet të llogarisë së emisionit “Shqip” në rrjetet shoqërore pyeti ministrin e Brendshëm mbi largimet mbi baza krahinore në Policinë e Shtetit. “Nuk është e vërtetë. Këto janë më shumë legjenda që fryhen tavolinave. Nuk është e vërtetë që ka zëvendësime krahinore, siç nuk është e vërtetë që ka zëvendësime politike”, deklaroi zoti Tahiri. “Njerëzit në drejtim të policisë, jam shumë i bindur që nuk e meritonin më të qëndronin në atë detyrë dhe edhe sot do të bëja të njëjtën gjë. Për mua ishin përgjegjësit kryesorë për kriminalitetin e shtuar në vend, siç ka përgjegjës politikë të cilët e morën faturën në 23 qershor dhe kishte edhe përgjegjës në drejtimin e policisë që s’mund të rrinin më në drejtim. Jam shumë i qetë për këtë që kam bërë, përsa kohë e kam ndarë këtë barrë edhe me ish-Drejtorin e Përgjithshëm të policisë, i cili firmosi 100% të lëvizjeve në Policinë e Shtetit përpara se të jepte dorëheqjen”.
Figura e policit, korrupsioni
“Kemi kontribuar të gjithë nga pak për ta ulur dinjitetin e Policisë së Shtetit dhe oficerëve të policisë. Unë besoj se ka të bëjë mbi të gjitha me korruptimin e dimensionit publik, deri dje ishte thuajse normale që të zëvendësojë çdo mjet ligjor me një mjet korruptiv, e kjo ka ndodhur edhe në Policinë e Shtetit. Kur korruptohet maja, nuk mund të prisje që në masë punonjësit të mos mendonin që të shkonin përtej kompetencës ligjore. Kemi bërë një provë me policinë në Tiranë e gjetëm një situatë korruptive që s’kishte nevojë as për hetim, aq e qartë ishte. i zëvendësuam ata me djem e vajza të reja, ndërsa përgjegjësit i çuam për ndjekje penale. Them me kenrari se këta oficerë të rinj janë shumë më ndryshe në shërbim, komunikim dhe dimensionin human ndaj qytetarëve, por duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë ndaj policisë. Për këtë muaj policia i ka kushtuar çdo shqiptari 3 mijë lekë të vjetra, kaq ka kushttuar siguria publike. E para punës, e them këtë për t’i thënë qytetarëve sa është buxheti dhe për t’i bërë të ditur koston tonë. Burimet njerëzore në polici kanë moshë 44 vjeç, ndërsa mosha mesatare popullsisë 28. Shumica e Policisë së Shtetit s‘ka shkollë të lartë. Sot që flasim, Policia e Shtetit është ndër profesionet më të nënpaguara në Shqipëri dhe nga viti 2004 e sot, në mos jam gabim, rroga është ulur 23% e nuk ka njohur rritje. Infrastruktura është katastrofike, e ka shumë arsye që e kanë çuar në këtë katandisje, që ndikojnë drejtëpërdrejtë në nivelin e sigurisë dhe luftës ndaj krimit. Ndaj më lejoni t’i falenderoj për sakrificën e tyre njerëzore, të gjithë punonjësit që luftojnë me krimin pa pagesë, pa veshje dhe e vuajnë mbi kurriz. Flas për oficerët e ndershëm të Policisë së Shtetit, njollën apo damkën e atyre që në kurriz të tyre abuzojnë me detyrën duke bërë edhe vepra penale”, deklaroi ministri Tahiri.
Aksioni kundër pikave të basteve dhe kazinove
Një ndjekës i emisionit ndau shqetësimin se përse disa prej kazinove apo pikave të basteve janë rihapur përsëri. “Nuk janë rihapur. Dua ta sqaroj këtë keqkuptim”, tha ministri Tahiri. “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që evidentojnë njësi të lojrave të fatit të paligjshme të na njoftojnë. Në dijeninë time, lojra të paligjshme nuk ka. Duhet të ketë 2 mijë kompiutera të ligjshëm që policia s’mund t’i ndalojë, por jemi duke punuar për ligjin për mbylljen e përhershme. Personalisht jam gati t’i mbyll që nesër, por këtë duhet ta bëjë policia e Financave, që ta mbyllim përfundimsiht këtë biznes. Policia e Shtetit mbylli lojrat e paligjshme, por nuk mund të shkojë më tej pa një kuadër të miratuar ligjor”.
Kontrabanda e kromit
Një tjetër ndjekës i emisionit, pyeti ministrin mbi atë që po ndodh me kontrabandën e kromit. “Sot që flasim, policia ushtron kontroll edhe në burim, edhe në akset rrugore, deri në portin e Durrësit dhe nuk ka më kontrabandë kromi në dijeninë tonë. Sigurisht që e them me një lloj rezerve sepse gjithçka mund të ndodhë, por në dijeninë tonë nuk ka më kontrabantë të kromit. Ne po kontrollojmë, bashkë me Ministrinë e Ekonomisë, po ngremë një sipërmarrje publike në bazë të kontrollit për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe paligjshmërinë në këtë biznes”, u shpreh zoti Tahiri.
Armët kimike, kontrolli i protestave nga policia
“Policia e Shtetit zbatoi ligjin dhe u munduam që të ishim sa më pak prezentë afër qytetarëve apo në protestë, duke besuar që kishim kontroll për çdo ekses të mundshëm, por s’kishim pse t’i bëheshim barrë qytetarëve. Ka pasur vetëm një procedim, kur iu afruan një objekti të rëndësisë së veçantë si ambasada e SHBA-së. Jemi munduar të mbajmë një profil të ulët jo sepse besuam tek protestuesit dhe sjellja e tyre paqësore, por sepse kishim kontroll mbi policinë edhe në forma të tjera në shesh”, deklaroi në “Shqip” ministri Tahiri.
***
Pjesës së dytë të Shqip iu bashkuan gazetarë dhe analistë, si kryeredaktori i Top Channel, Mentor Kikia, gazetari Artan Hoxha dhe analisti Eduard Zaloshnja. Ky i fundit deklaroi se statistikisht, me numrin e lart të aksidenteve, Shqipëria mund të krahasohet vetëm me vendet e Afrikës.
“Vetëm për një muaj kemi 163 aksidente që kanë shkaktuar 20 të vdekur. Mund të krahasohemi vetëm me vendet e Afrikës për numrin e aksidenteve në 10 mijë automjete. Në tetor kemi një reduktim me 24 përqind të të vdekurve dhe 7 përqind të personave të plagosur rëndë, megjithatë mbetemi sërish të krahasuar prapë më vendet e Afrikës për nga numri i aksidenteve”, me asnjë vend tjetër në rajon”, deklaroi zoti Zaloshnja.
Për kryeredaktorin e Top Channel, Mentor Kikia aksidentet rrugore duhet të trajtohen si vendngjarje kriminale, që sipas tij, mungon deri më sot. “Problemi është se aksidentet në Shqipëri nuk konsiderohen si vendngjarje kriminale, apo të hetohen si të tilla. Policia e rrugore mjaftohet me deklaratën se shkak ishte shpejtësia e madhe dhe kaq. Polici rrugor nuk është ekspert dhe polici rrugor nuk ka të drejtë të futet në vendin e ngjarjes”, tha ai.
Ndërsa gazetari Artan Hoxha u ndal tek mediat dhe mënyra e shpërndarjes së informacionit. Ai tha se shpejtësia për të dhënë të parin lajmin shpesh ka cuar në dizinformim, me raste duke tronditur qytetarët. Ai tha se duhet të korigjohet mënyra e komunikimit mes policisë dhe mediave.
Ndërkohë, pjesës së tretë të Shqip iu bashkuan gazetarët e kronikës së zezë, Sokol Bregu i Top Channel, Spartak Koka nga News24 dhe Dashamir Biçaku i MAPO-s. Tre gazetarët disktutuan mbi rolin e policisë në ruajtjen e rendit dhe nevojës së medias për të përcjellë lajmin tek publiku.
Top Channel