Ashton vlerëson Qeverinë e Kosovës dhe atë serbe

19/11/2013 00:00

Gjatë konferencës për shtyp në kuadër të Keshillit të Jashtëm të BE-së,
përfaqësuesja e Lartë, Ashton vlerësoi jo vetëm punën e dy qeverive,
kosovare e serbe, në kuadër të dialogut, por dhe vizitën e kryeministrit
Daçiç përpara përsëritjes së zgjedhjeve në veri të Mitrovicës.

“Faktikisht pjesëmarrja në zgjedhje ishte e mirë. Bëhet fjalë për një pjesëmarrje prej 22 apo 23 % dhe kjo jo në rrethanat më të lehta, ndaj jam shumë e kënaqur që tre qëndrat e votimit ia dolën të kryejnë punën siç duhet sot. Pashë kryeministrin Daçiç në terren atje para pak ditësh e ai foli ndaj rreth 2500 banorëve, dhe mbështetja e tij për t’u treguar njerëzve rëndësinë e këtij votimi ka rëndësi ekstreme. Unë pres me padurim të njihem me mendimin e atyre që monitoruan zgjedhjet, por deri tani siç e kuptoj unë, situata është pozitive. Pas votimeve, tashmë ne duhet të ecim përpara dhe të dy kryeministrat do t’i kthehen dialogut pas disa javësh, ndaj them se përbën një rezultat të mirë”, u shpreh Ashton.
 
Në takimin e Ministrave të Jashtëm është diskutuar dhe për integrimin e shpejtë të Bosnjes me ritmin e vendeve të tjera të rajonit, sipas Ashton. Ndërkohë që Komisioneri për Zgjerim, Fyle, komentoi në Twitter se “vendet anëtare shprehën zhgënjimin për gjëndjen aktuale në Bosnje-Hercegovinë”.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel