Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, i cili – për dallim nga vendet fqinje – në Prishtinë udhëhiqet nga presidentja Atifete Jahjaga, duket se nuk po arrin të përmbushë qëllimet e kërkuara.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, mbledhjet e këshillit vlerësohen si “vend i fjalëve të zbrazta”.

Një hulumtim i Fondacionit kosovar për Shoqëri të Hapur thotë se, nëse këshilli vazhdon punën e tij si deri më tani, rrezikon të zbehë reformat dhe dinamikën e nevojshme, pasi politikanët po e shfrytëzojnë atë për “sfilatë politike”.

Mangësi në përmirësimet e reformave, veçmas në sektorin e drejtësisë, u theksuan edhe nga të pranishmit.

“Në vitet e fundit, reformat në sistemin e drejtësisë ndihmuan në konsolidimin e sundimit të ligjit, stabilitetin afatgjatë të vendit, por edhe në zhvillimin tonë ekonomik”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.

“Përkundër përfshirjes dhe angazhimit në reforma, sistemi i drejtësisë po ecën me hapa të ngadalshëm në procesin e tij reformues”, u shpreh Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Me përgjegjësi të plotë e them se Republika e Kosovës ka ligjet më të mira në rajon, dhe dukshëm të konkurrueshme me shumë shtete anëtare të BE-së. Në këtë drejtim, sipas ligjeve tona, gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës gëzojnë mandatin e përjetshëm, që nuk mund të cënohet në mënyrë arbitrare nga askush tjetër, vetëm nga ligji”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Përfaqësuesi i EULEX-it, Mats Mattson, tha se Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët do të zgjidhnin problemet që gjeneratat e vjetra kanë krijuar.

“Kosova po ballafaqohet me probleme dhe grupe kriminale, të cilat po e minojnë besimin e qytetarëve në institucionet qeverisëse të Kosovës dhe këtë çështje duhet ta luftojmë së bashku”, u shpreh ai.

Raportet e shoqërisë civile thonë se ekziton konsensusi i gjerë politik e shoqëror, lidhur me të ardhmen e Kosovës drejt BE-së. Megjithatë, sipas tyre, ndasitë politike jashtë kanë ndikuar në mundësinë për t’i bashkuar edhe përfaqësuesit opozitarë.

Kjo u vërtetua edhe në mbledhjen e fundit, ku gjysma e karrikeve ishin të lëna bosh, ndërkohë shumë prej të pranishmëve, në vend të përqendrimit te diskutimet e takimit, dërgonin SMS.

Këshilli Kombëtar për Integrimin është themeluar në vitin 2012, me qëllim drejtimin e vendit në rrugën e reformave komplekse, të cilat kërkohen nga BE. Tani e tutje kërkohet nga qeveria, partitë opozitare, shoqëria civile dhe mediat, që të ushtrojnë ndikim në këtë këshill për t’u ballafaqur me sfidat e vitit të ardhshëm.

Top Channel