Shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë

13/11/2013 00:00

Ralf Trap, ish-sekretar i Bordit Këshillues Shkencor të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, aktualisht këshilltar për çështjet e kontrollit dhe çarmatimit të armëve biologjike dhe kimike, në një intervistë për Top Channel thotë se Shqipëria ka një eksperiencë në shkatërrimin e armëve kimike.

“Shqipëria ka vetë një eksperiencë në shkatërrimin e një sasie të vogël armësh kimike, sepse vendi juaj kishte një arsenal armësh kimike, sipas Konventës së Armëve Kimike të vitit 2002, dhe u shkatërrua, siç jemi në dijeni, i financuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me teknologji nga Gjermania”.

TCH: Nëse Shqipëria do të përzgjidhet si vend për të shkatërruar armët kimike, kush do ta asistojë me teknologji dhe burime financiare e njerëzore?

Trapp: Mendoj se i takon gjerësisht bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi një proces të mbështetur nga një rezolutë në Këshillin e Sigurimit dhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë. Ka pasur disa apele të bëra ndaj disa vendeve për të mbështetur si në zhvendosjen e armëve jashtë Sirisë, po ashtu edhe për të ndihmuar në shkatërrimin e tyre, me mbrojtjen apo sigurinë e gjëra të tilla. Unë kryesisht mendoj se ne do të shohim SHBA-të, BE-në dhe Rusinë, që kanë eksperiencë dhe teknologjinë e dobishme në këtë kontekst, që mund të garantojnë ndihmë financiare në këtë proces.

Procesi i shkatërrimit të armëve kimike, siç thotë Ralf Trapp, do të mbikqyret nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.

Trapp: Aktualisht, sa i takon procesit të mbikqyrjes apo monitorimit për qëllime verifikimi me pak fjalë, për t’u siguruar se materiali është shkatërruar tërësisht, kjo i takon Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë. Ata duhet të dërgojnë inspektorët, bashkë me arsenalin që do të shkatërrohet jashtë Sirisë. Ata duhet të mbikqyrin shkatërrimin. Unë them se kushdo, që do garantojë ndihmë teknike dhe ndoshta të dërgojë pajisje për shkatërrimin në vende si Shqipëria, sigurisht që do të dërgojë edhe personel, do të garantojnë trajnimin, marr me mend se do të mbikqyrin procesin dhe të kenë një aktivitet të përgjegjshëm sa i takon sigurisë së procesit. Për të garantuar se nuk do të ketë ndotje dhe se njerëzit, ashtu sikurse mjedisi, të jenë të sigurt.

TCH: Flitet për armë kimike apo substanca helmuese?

Trapp: Ne po flasim për armët kimike, por jo në formën e armëve të mbushura me material kimik. Çfarë është raportuar në media, është tërësisht në formën e agjentëve kimik në konteiner. Kemi të bëjmë me kimikate helmuese, agjentë kimikë, gaz nervin, agjentë djegës. Por, në konteinerë kemi më pak materiale perkursore, kështu nuk do të kemi problem për nxjerrjen e agjentit jashtë armës, që është serioze dhe e rrezikshme. Por konteinerët, po, ata mbajnë materiale shumë toksike.

TCH: Ekzistojnë dy metoda të shkatërrimit apo asgjësimit të armëve kimike?

Trapp: Duke iu referuar konfigurimit të arsenalit, siç e përmenda në thelb, çdo gjë ndodhet në konteiner. Ka dy qasje themelore: Lëndët mund të shkrumbohen, me fjalë të tjera djegia e materialit. Kjo është një teknologji që është përdorur në Shqipëri në të shkuarën, për shkatërrimin e arsenalit të vogël të armëve kimike. Tjetra është hidroliza, që është një proces kimik, dekompozimi i përbërësit kimik në ujë. Mund të ndodhë oksidim kimik, por në çdo rast është një proces neutralizimi, që ndan materialin helmues dhe do përpunohet më tej.

TCH: Si do të jetë ky proces?

Trapp: Varet se cila teknologji do të përdoret. Nëse do përdoret zjarri, materiali helmues do të hidhet në një aparat djegieje në temperaturë të lartë, ku agjenti dhe do të digjet. Pastaj do ketë aparate larjeje për të siguruar se nuk do të ketë asnjë agjent të mbetur në ambjent. Ndërsa nëse ka hidrolizë, atëherë do ketë një reaksion kimik. Përdoret uji me sodë që ndan përbërësit, të cilët do të procesohen më tej.

I informuar për protestat në Shqipëri, kundër ardhjes së armëve kimike, fjala kyç e secilës prej teknologjive që do të përdoren për shkatërrimin e armëve kimike, – thotë Ralf Trapp, – duhet të jetë siguria.

Trapp: E kuptoj se nga vijnë dhe e di që ka shqetësime. Çfarë mund të them unë, janë garancitë nga qeveria juaj, apo cilido që garanton ndihmën dhe gjithçka do të bëhet në mënyrë të sigurt. Ne e dimë prej vendeve të tjera dhe e dimë edhe prej shembullit të Shqipërisë. Sërish unë i kuptoj nga vijnë shqetësimet dhe e kuptoj pse njerëzit protestojnë. Mendoj se mund të bëhet pa pasoja.

Më 15 nëntor, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike dhe Siria duhet të bien dakord për planin e detajuar të shkatërrimit të armëve kimike, për mënyrën dhe vendin ku do të shkatërrohen 1000 ton të agjentëve toksikë dhe municioneve.

Top Channel