Somali, cikloni vret mbi 100 persona

12/11/2013 00:00

Një ciklon tropikal që gjatë fundjavës ka goditur veri-lindjen e
Somalisë, më konkretisht rajonin e Puntlandit, ka vrarë mbi 100 persona.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Presidenti i rajonit, Abdirahman Farole deklaroi se mijëra bagëti kanë vdekur si pasojë e dukurisë natyrore, ndërkohë që qindra shtëpi janë shkatërruar.

Rajoni gjysmëautonom u përfshi nga erëra të forta, shira të dendura dhe përmbytje të shtunën dhe të dielën. Disa peshkatarë raportohen gjithashtu të humbur.

Cikloni tropikal, i njohur si “03A”, goditi gjithashtu rajonet Ejl, Bejla, Dangorajo dhe Hafun përgjatë bregut lindor, si dhe lokalitetin Alula në Bririn e Afrikës.

“Kam varrosur 10 anëtarë të familjes time. Stuhija e akullt dhe shiu vranë mbi 100 vetë këtu”, tregon një banor i Ejlit, i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

“I kam parë me sytë e mi këto tragjedi. Disa njerëz i mori era me vete dhe i hodhi tutje, ndërsa të tjerë vdiqn pasi iu shembën shtëpitë sipër”, ka thënë më tej banori.

Stuhija ishte parashikuar të përfshinte vendin dhe të vazhdonte deri të mërkurën. Zoti Farole bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare, duke thënë se kriza ishte e rëndë.

“Informacionet paraprake tregojnë gjithashtu se shtëpi, ndërtesa, varka dhe fshatra të tërë janë shkatërruar dhe se rreth 100 mijë gjedhë janë humbur. Jetët e dhjetëra mijëra njerëzve janë në rrezik”, thotë ndërkohë qeveria somaleze në një komunikatë.

Mohamed Aideed Dirir, ministër i Planifikimit Urban të Puntlandit, tha për BBC se mbi 10 kamionë të ngarkuar me ushqime dhe ujë janë dërguar për në komunitetet e prekura nga kryeqyteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB