Dështimi i negociatave, Irani fajëson perëndimin

12/11/2013 15:50

Ministri i Jashtëm i Iranit fajësoi superfuqitë perëndimore për dështimin e bisedimeve me qëllim arritjen e një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.

Në reagimin e tij, ministri Javad Zarifi refuzoi konstatimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili theksoi se ndonëse marrëveshja kishte qenë pranë, Irani nuk ishte në gjendje që të pranonte të gjitha kushtet në këtë moment specifik.

Ndonëse la të hapur mundësinë e rikthimit në tryezën e bisedimeve në një të ardhme të afërt, Zarifi theksoi se “ajo që ndodhi në Gjenevë ka konsumuar besimin e Iranit tek partnerët ndërkombëtare”.

Ne fjalen e tij, ministri i Jashtëm i Iranit sulmoi tërthorazi Francen, për një qëndrim minues ndaj konsensusit.

Në raportimet e kësaj të marte, në shtypin iranian shkruhej e qëllimi i vërtetë i superfuqive nuk është arritja e një marrëveshje, por konsumimi i resurseve të vendit, për ta bërë atë të gjunjëzohet përpara presionit.

Një qëndrim i ngjashëm është mbajtur edhe nga Lideri Suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, i cili theksoi gjatë Tetorit se mosarritja e një marrëveshje nuk do të ishte një tragjedi për vendin e tij, por e kundërta do të ishte e vërtetë.

Bisedimet mbi programin bërthamor Iranian rifilluan në Tetor midis Teheranit dhe gjashtë fuqive ndërkombëtare, SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Gjermani dhe Britani.

Irani, ekonomia e të cilit është dëmtuar ndjeshëm nga sanksionet e vendosura prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pretendon se zhvillimi i energjisë bërthamore në vend realizohet vetëm për përdorim civil.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA