Cameron, në dhjetor në Kinë

12/11/2013 00:00

Kryeministri britanik David Cameron do të udhëheqë delegacionin e
ministrave dhe biznesmenëve që do të vizitojnë Kinën muajin e ardhshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Cameron, lëvizja e të cilit flet për një ngrohje të marrëdhënieve pas një përplasjeje me Pekinin për shkak të vendimit të kryeministrit për të takuar Dalai Lamën në maj.

Kryeministri e njoftoi vizitën gjatë fjalimit të tij vjetor në Guildhall, në Londër, ku ai gjithashtu njoftoi rritjen e ndihmës së Mbretërisë së Bashkuar për ishujt Filipine, të prekura nga tajfuni.

Zoti Cameron, që e ka vizituar Kinën vetëm një herë që kur ka marrë postin e kreut të qeverisë, saktësoi se delegacioni do të niset drejt superfuqisë aziatike në fillim të dhjetorit.

“Unë do të marr ministrat e hershëm britanikë, si dhe liderët nga çdo sektor i biznesit, i madh e i vogël, për të vendosur një lidhje nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet dhe do të sjellë fitime për qytetarët tanë”, tha Cameron.

Vizita do të ndihmojë kompanitë britanike të depërtojnë në tregun e gjerë e të shumëllojshëm të Kinës, tha më tej ai, duke shtuar se:

“Kjo është një marrëdhënie afatgjatë, e rëndësishme për Britaninë dhe Kinën dhe që unë pres që ta bëjmë edhe më të fortë në muajt dhe vitet që do të vijnë”.

Më herët gjatë vitit, në media u raportua se kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar iu ndalua hyrja në Kinë nga autoritetet kineze.

Ato reaguan të acaruara kur Cameron priti liderin tibetian në mërgim, Dalai Lama. Në atë kohë zëdhënësi i tij kishte deklaruar se kryeministri do ta vizitonte Kinën më vonë gjatë vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB