Zgjedhja e djalit të Khameneit si lideri i ri suprem i Iranit, ministri izraelit i Mbrojtjes: Do shënjestrojmë këdo që është në krye të terroristëve
Negociatorët në Bruksel kanë arritur një marrëveshje për buxhetin e
Bashkimit Evropian për vitin 2014, pas një nate bisedimesh të vështira,
pas të cilave u arrit shkurtimi i shpenzimeve me 6 për qind më pak se në
vitin 2013.
Shpenzimet në total do të jenë 135.5 miliardë euro, ose 0.5 miliard më pak se parashikimi i Komisionit dhe 0.9 miliard më pak se objektivi i Parlamentit Evropian.
Gjithësesi, buxheti është 0.5 miliard më i madh se kërkesat e qeverive të vendeve të përfshira nga masat antikrizë. Buxheti reflekton afatet e reja të kufizuara të kërkuara nga liderët e Bashkimit Evropian në shkurt.
Marrëveshja parashikon fonde më të mëdha për rritjen ekonomike, vendet e punës, inovacionin dhe ndihmat humanitare, ka bërë të ditur zëvendësministri i Financave të Lituanisë, Algimantas Rimkunas, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Agjencitë evropiane që po përballen me emigracionin, azilkërkuesit dhe kontrollin e kufijve do të kenë gjithashtu rritje të mbështetjes, bashkë me autoritetet evropiane të mbikëqyrjes financiare.
Rreth dy të tretat e buxhetit do të shkojnë në formë ndihmash për fermerët dhe për projektet e BE për zhvillimin e rajoneve të varfëra të kontinentit të vjetër. Por këto shpenzime pritet të shkurtohen me 7 miliardë euro.
Qeveritë e katër vendeve, konkretisht Britanisë, Danimarkës, Holandës dhe Suedisë votuan kundër kompromisit. Ato donin që BE të bënte shkurtime të mëtejshme.
Marrëveshja e së martës, e arritur pas 16 orë negociata, pritet të nënshkruhet nga ministrat dhe Parlamenti Evropian javën e ardhshme. Ajo pritet të hapë rrugën për adoptimin nga ana e PE të buxhetit afatgjatë prej disa trilionë eurosh, për periudhën 2014-2020.
Top Channel