Filipinet bëjnë bilancin, frikë për 10 mijë viktima

10/11/2013 00:00

10 mijë persona mund të kenë gjetur vdekjen vetëm në njërën prej zonave të prekura nga tajfunit “Haiyan”.

Kjo është shifra që jepet nga zyrtarët që po përballen me emergjencën më të madhe në vitet e fundit. Stuhia, më e fuqishmja e regjistruar ndonjëherë në Filipine dhe Azinë Jug-lindore,  shkatërroi shtëpi, shkolla dhe aeroportin në qytetin lindor Tacloban.

Ishulli fqinj Samar u prek gjithashtu rëndë nga stuhia me raportime që flasin për 300 persona të vdekur dhe mbi 2 mijë të zhdukur.

Deri më tani zyrtarisht janë konfirmuar vdekjet e 151 personave në të gjithë vendin, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur vullnetarisht ose me ndihmën e autoriteteve.

Korrespondenti i BBC thotë se nga pamjet në terren, qyteti i Taclobani-t, kryeqyteti ii provincës Leyte, është shkatërruar plotësisht. Sipas tij shtëpitë janë shkatërruar nga erërat dhe uji që vërshoi në qytet me kalimin e stuhisë.

Në qytet mungon energjia elektrike, uji i pijshëm dhe rezervat ushqimore janë të pakta. Drejtuesit lokalë thanë se po hasin vështirësi në shpërndarjen e ndihmave. Mijëra persona janë bllokuar në aeroportin e Tacloban-it në përpjekje për t’i ikur stuhisë, ndërsa epiqendra e tajfunit i është drejtuar Vietnamit.

Autoritetet vendase kanë marrë masat për të shmangur tragjeditë dhe 600 mijë persona janë zhvendosur nga zonat ku mendohet se do të godasë më fuqishëm stuhia paraditen e së hënës.

“Haiyan” është stuhia e 25-të që godet për këtë vit Filipinet dhe konsiderohet si më e fuqishmja e parë ndonjëherë në këtë vend me erëra që shkonin deri në 360 kilometra në orë dhe reshje që tejkaluan 400 mm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA