Strasburgu: Spanja të lirojë të burgosurit e ETA-s

09/11/2013 00:00

Gjykata Supreme spanjolle urdhëroi lirimin e tetë aktivisteve të ETA-s të dënuar me periudha të gjatë burgimi për vrasje, pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut që e detyronte këtë hap.

Spanja dhe pjesa më e madhe e vendeve të Europës e konsiderojnë ETA-n një organizatë terroriste. Në fushatën e saj 40-vjeçare për pavarësi të rajonit bask, mbi 800 persona mendohet se kanë humbur jetën.

Më 21 tetor, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut rrëzoi një ligj të vitit 2012 të Spanjës, që u mohonte praktikat ligjore për lirim dhe u lejonte autoriteteve zgjatjen e burgimit për të akuzuarit për terrorizëm.

Ligji u shtri në kohë edhe për dënimet e dhëna para se të miratohej. Strasburgu argumentoi se një ligj i tillë në fushën penale nuk mund të ketë fuqi prapavepruese ndaj kërkoi lirimin e të gjithë personave që mbaheshin ende në qeli në bazë të këtij ligji.

Mes të liruarve është Ines del Rio, e dënuar me 30 vite burgim për rolin e saj në sulmet me bomba në vitin 1980, ndërsa ndër personat e parë të liruar ishte edhe Domingo Troitino, i dënuar për sulmin me bombë në një supermarket në Barcelonë ku gjetën vdekjen 21 persona.

Vendimi i Strasburgut nuk është pritur mirë nga organizata dhe shoqata e familjarëve të viktimave të ETA-s.

ETA është një organizatë e separatistëve që kërkojnë një shtet të pavarur bask në veri të Spanjës. Ajo i dha fund fushatës 40-vjeçare të armatosur në vitin 2011 kur njoftoi një armëpushim të njëanshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB