Një shpërthim piroteknik në një pallat sporti në Paris ka lënë të plagosur 15 persona, nga të cilët 5 në gjendje kritike, vetëm pak orë pas nisjes së një koncerti muzikor mbi Revolucionin Francez.
Arena e “Palais des Sports” në jug-perëndim të qytetit po përgatitej për të shfaqur një produksion të vitit 1789, “Të dashuruarit e Bastijes”. Të plagosurit raportohen të jenë anëtarë të trupës apo spektatorë.
Një teknik thuhet se ka ndezur aksidentalisht pajisjet e piroteknikës, që përdoreshin gjatë shfaqjes. Sipas gazetës “Le Parisien”, përdorimi i mjetit ndezës pranë pajisjeve mund të ketë shkaktuar shpërthimin.
Rreth 100 zjarrfikëse dhe dhjetra ambulanca u dërguan në vendngjarje, aty ku mbërriti edhe ministri i Brendshëm Manuel Valls.
Disa prej të plagosurve në gjendje kritike, të cilët u dërguan menjëherë në spitalet e qytetit, pësuan djegie, njëri prej tyre pësoi atak kardiak, ndërsa një tjetër mori plagë në fytyrë, raporton transmetuesi francez “BFMTV”.
Ata që u plagosën më lehtë u ekzaminuan kryesisht për dëmtime të dëgjimit.
Aq i fuqishëm ishte shpërthimi, i cili ndodhi rreth orës 18:00, sa që një valë tronditëse u ndje edhe në ndërtesat pranë vendngjarjes. Një mur dhe pjesë të tavanit u dëmtuan, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Shfaqjet e fundjavës të këtij “show”, që nisën të jepeshin për herë të parë në Paris një vit më parë, u anuluan për shkak të këtij shpërthimi. “Palais des Sports” ka një kapacitet prej 4500 vendesh dhe është një nga hapësirat performuese më të mëdha të kryeqytetit francez. Aty u luajt edhe premiera e “Les Miserables” në 1980-n.
Top Channel